Kompania amerikane “Mandiant”: Me gjasa, aktorë iranianë pas sulmit kibernetik në Shqipëri!
Sulmi kibernetik që përkohësisht mbylli në korrik shumë shërbime digjitale të qeverisë shqiptare e faqe online, ka të ngjarë të jetë vepër e hakerave pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri. I këtij mendimi është “Mandiant” një prej kompanive kryesore amerikane, që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike.
Në një raport të saj, kompania shpreh “besim të matur” se sulmuesit kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve, bazuar në disa faktorë: koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, prej kohësh i përdorur për të goditur folës në gjuhët farsi e arabisht.
Konferenca e datave 23 dhe 24 korrik nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq, u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3 mijë disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin “Ashraf 3” në Manzë, 30 kilometra larg Tiranës. Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp e mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
Një grup që e quan veten “Homeland Justice” mori përgjegjësinë lidhur me sulmin kibernetik, duke përdorur viruse që synojnë zhvatjen për qëllime përfitimi financiar, por që po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime politike, veçanërisht nga Irani.
Pretendimi nga “HomeLand Justice” u bë në një kanal të aplikacionit Telegram, në të cilin u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin teksa aktivizohej programi me virus. Kanali pretendonte për korrupsion në qeverinë shqiptare dhe përdorte hashtagë përfshirë #Manzë.
Kompania amerikane “Mandiant” thekson:
Kjo ngjarje përbën kërcënim aktiv për organizatat publike e private në vendet e tjera anëtare të NATO-s. Ndërsa negociatat rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë ngecur, ajo tregon se Irani mund të jetë më pak i përmbajtur në kryerjen e sulmeve kibernetike në vazhdim.
Pak ditë më parë, qeveria shqiptare tha se metoda e hakerave ishte identike me sulmet e vitit të kaluar në shtete të tjera të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Holandën e Belgjikën. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të bërë dje.