Nga 8 gushti, ambasada shqiptare në Gjermani nuk ofron shërbim konsullor për disa dokumente!
Ambasada shqiptare në Gjermani informon qytetarët shqiptarë me qëndrim në këtë vend të Europës, se duke filluar nga dita e hënë datë 8 gusht 2022, nuk do të jetë e mundur të aplikohet e nuk do të ofrohet shërbim konsullor për disa dokumente. Konkretisht, selia diplomatike e Tiranës bën të ditur se nuk do të jetë e mundur të aplikohet dhe nuk do të ofrohet shërbim konsullor për:
Vërtetim mbi vetëdeklarimin për humbjen e dokumenteve; vërtetim mbi vetëdeklarimin për vjedhjen e dokumenteve; vërtetim mbi vetëdeklarimin për dëmtimin e dokumenteve; vërtetim mbi vetëdeklarimin për bllokimin e dokumenteve.
Të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaportën dhe Kartën ID për arsyet e mësipërme, të vijojnë procedurën duke e denoncuar si të humbur, të vjedhur, dēmtuar apo të bllokuar, vetëm te autoritetet policore gjermane.
Vërtetimin e lëshuar nga autoritetet policore gjermane duhet që: ta legalizoni me Vulën Apostille (pranë institucioneve gjermane); ta përktheni në gjuhë shqipe nga përkthyes i licensuar dhe ta paraqisni në ambasadë ditën e takimit/aplikimit për Pasaportë dhe Kartë ID.
Në rastin e aplikimit për Leje Kalimi, ambasada informon se denoncimi pranohet vetëm i legalizuar me Apostillê, pa patur nevojë të përkthehet në gjuhë shqipe nga përkthyes.