Nesër protesta e dytë për tragjedinë e Himarës/”Drejtësi për Jonadën!”

vovalbania August 07, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nesër protesta e dytë për tragjedinë e Himarës/”Drejtësi për Jonadën!”

Para Ministrisë së Brendshme në Tiranë, nesër protestohet sërish për tragjedinë e Himarës. Tashmë kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e 2 gushtit kur skafi me drejtues zyrtarin e policisë Elbasan, Arjan Tase hyri në një perimetër të ndaluar në Potam e vrau në det 7-vjeçaren Jonada Avdia, duke ngritur alarmin për gjendjen e sigurisë në kulmin e sezonit turistik.

Protesta e thirrur për nesër në orën 19:30 pason atë të 4 gushtit, që zgjati dy orë dhe ku u kërkua drejtësi për Jonadën, si dhe dorëheqja e ministrave Çuçi e Kumbaro e po ashtu, largimi i kreut të Policisë, Nano. Me moton: “Nuk e vrau varka, por shteti”, të enjten e 4 gushtit, pjesëmarrësit marshuan nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë e më tej për te Presidenca.  Manifestimi mbështetet edhe nga opozita: Partia Demokratike e Partia e Lirisë. Vdekjes tragjike të Jonadës i bënë jehonë edhe mediat në Britaninë e Madhe, duke e përshkruar si “horror në plazh” atë që i ndodhi 7-vjeçares, shtetase britanike, e lindur në Britani dhe që me familjen jetonte në Barking, në lindje të Londrës.

Të premten e 5 gushtit u dha masa e sigurisë për Arjan Tasen. Gjykata e Vlorës vendosi “Arrest me burg”, ndërsa në sallën e gjyqit, ai i kërkoi falje familjes Avdia e po ashtu, Policisë së Shtetit. Për të, Prokuroria kërkoi “Arrest me burg” e të enjten u mësua se ky institucion kundërshtoi qëndrimin dhe referimin e Policisë së Vlorës që e akuzoi “Për vrasje nga pakujdesia”. Tashmë, ndaj tij rëndon akuza “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”.

Ndërkohë, strukturat e Policisë thonë se janë të angazhuara maksimalisht, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, veçanërisht në zonat turistike e bregdetare. Nga Ksamili në Velipojë, po zhvillohen operacione për bllokimin e mjeteve lundruese e argëtuese, verifikimin e dokumentacionit të tyre, respektimin e bovave e të sinjalizimeve përkatëse për kufizimin e lëvizjes.

Në javën që po lëmë pas u bllokuan 125 “Jet ski” e 75 skafe të vogla dhe gomone, disa prej tyre për kryerje të manovrave të rrezikshme për pushuesit në plazhe, pranë perimetrit të sigurisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45348 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE