Katar 2022/ Ndryshime në kalendar, Botërori mund të nisë më herët!
Kampionati Botëror i këtij viti është pa diskutim një nga më të përfolurit për arsye nga më të ndryshmet, por nga Argjentina raportohet lajmi se një tjetër ndryshim mund të ndodhë, që rrjedhimisht do të sillte të tjera polemika.
Siç raporton ‘Diario Ole’, mund të ketë një ndryshim të kalendarit, me Botërorin që mund të nisë me datën 20 nëntor dhe jo në 21 siç është planifikuar prej shumë kohësh. Një ndryshim i tillë është menduar për të ruajtur traditën e nisjes së edicionit të Kupës së Botës nga skuadra pritëse, në rastin konkret, Katari.
Sipas medias argjentinase, ndeshja mes Katarit dhe Ekuadorit mund të luhet në datën 20, për të regjistruar dhe nisjen e Botërorit, por një lëvizje e tillë do të reflektohej në ndryshime të tjera pasuese edhe në ndeshjet e mëvonshme, çka do të sillte jo pak problematika.
Një modifikim i tillë mund të miratohet nga Byroja e Këshillit të FIFA-s, e cila përbëhet nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentët e gjashtë Konfederatave.
Mbetet për t’u parë nëse do të miratohet një lëvizje e tillë, edhe pse duket e vështirë, për shkak se do të sillte të tjera ndryshime. Tradita që vendi organizator të nisë edicionin e Kupës së Botës ka nisur që nga viti 2006 në Gjermani, por në këtë edicion të Botërorit u vendos që të mos kishte përcaktime.
Kupa e Botës Katar 2022 është programuar të zgjasë nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, teksa sfida hapëse është programuar të jetë ajo mes Senegalit dhe Holandës më 21 nëntor (13:00) në stadiumin “Al Thumama Stadium”, Doha.
Ndërkohë, dy ekipet e tjera të grupit A, Katari dhe Ekuadori, do të ndeshjen mes tyre në stadiumin “Al Bayt” më 21 nëntor (19:00).