Mbërrin në Shqipëri, e para anije me grurë nga Ukraina!

vovalbania August 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbërrin në Shqipëri, e para anije me grurë nga Ukraina!

E para anije me mbi 6 mijë tonë grurë nga Ukraina, sot mbërriti në Portin e Durrësit. Anija turke “Jaohar Ranim” udhëtoi për 12 ditë drejt vendit tonë dhe ngarkesa është e destinuar për një kompani në Tiranë. Më 22 korrik, Ukraina e Rusia arritën marrëveshje për eksportet e grurit, me ndërmjetësimin e Turqisë e të Kombeve të Bashkuara. Sipas akordit, mjeteve lundruese të Ukrainës që eksportojnë grurë, misër e vaj, u sigurohet një korridor i sigurt, me Rusinë që ra dakord të mos i shënjestrojë.

Para fillimit të luftës më 24 shkurt dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina. Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një krizë çmimesh, pas lëkundjeve në treg për shkak të vështirësive me furnizimin me naftë e gaz, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve të vëna nga shtetet e Bashkimit Europian e NATO-s ndaj Moskës.

Ndonëse nuk ka varësi të drejtpërdrejtë nga gazi e nafta ruse, aktualisht Shqipëria nuk i përmbush nevojat energjetike, duke u detyruar që një sasi të konsiderueshme të energjisë ta importojë me çmime të larta nga bursat ndërkombëtare. Kjo gjendje ka rënduar koston e jetesës, duke nxitur protesta. Në vendin tonë, rroga mesatare është 490 euro e sipas Bankës Botërore, “niveli i varfërisë arrin në rreth 30 për qind të popullsisë”.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009 u rreshtua me vendet që i vendosën sanksione Rusisë, duke kontribuar edhe në koordinimin politik në NATO e në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të dënuar pushtimin rus.

Gjithashtu, autoritetet shqiptare e përkrahën rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon agresionin. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk mori garanci nga NATO, se nuk do të zgjerohet më në lindje. Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra, ekonomike e diplomatike kundër Rusisë dhe Ukrainën po e ndihmon me armatim.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE