Vuçiç: Skeptik se takimi me Kurtin do të prodhojë ndonjë rezultat

vovalbania August 11, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Vuçiç: Skeptik se takimi me Kurtin do të prodhojë ndonjë rezultat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në raundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd më 11 gusht.

Raundi i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të mbahet më 18 gusht në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të takohen me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak.

Vuçiq deklaroi për mediat se beson që pala e Kosovës tashmë e ka konfirmuar se është duke e imponuar vullnetin e vet.

“Atyre nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu. Ata që deklaruan se duhet të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më lejoni që t’i pyes ata se a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar?”, tha Vuçiq.

Çështja e Asociacionit tash e një kohë të gjatë është shndërruar në pengesë në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për krijimin e Asociacionit, palët nënshkruan një marrëveshje më 2013. Më 2015, në kuadër të dialogut në Bruksel, palët po ashtu arritën marrëveshjen mbi parimet për themelimin e Asociacionit, por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte plotësisht në harmoni me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Kushtetueses, konstatohet se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komunat ku një bashkësi etnike është shumicë.

Vuçiq, po ashtu, tha se beson se Kosova do të jetë në agjendën e Kuvendit të Serbisë gjatë muajit shtator.

“Besoj se në shtator Kuvendi do të analizojë situatën me Kosovën dhe Metohinë. Ky është obligimi ynë. Qytetarët duhet të dëgjojnë se cili është obligimi ynë dhe shpresoj që arsyeja të mbizotërojë”, shtoi ai.

Pesidenti serb, gjithashtu, tha se ka informacione për plane lidhur me veriun e Kosovës.

“Ata po përgatisin likuidimin e popullit tonë në veri”, tha Vuçiq, duke paralajmëruar kundër një gjëje të tillë.

“Kërkesa ime për shtetet e QUINT-it është që të mos e bëjnë këtë, Kurti të mos i gënjejë ata. Nuk ka pasur të shtëna në veri, nuk do të lejojmë askënd që të hapë zjarr ndaj ushtarëve dhe policëve tanë në Serbinë qendrore, madje as ndaj NATO-s. Unë u kërkoj që të mos synojnë të bëjnë diçka të tillë”, tha Vuçiq duke mos specifikuar se çfarë planeve po u referohej.

Presidenti serb i quajti të rreme edhe akuzat për interesimin dhe përfshirjen e Rusisë në situatën në Kosovë.

“Ata përmendin Rusinë, madje [zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria] Zakharova tha se ne nuk kemi kërkuar ndihmë. Çfarë tjetër po shpikin? Ne kemi shtetin dhe Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare në anën tonë”, tha ai.

Vuçiq tha për gazetarët se ai shpreson se do të ketë një zgjidhje paqësore me Kosovën. Lideri serb shtoi se shpreson që vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca), siç u shpreh, t’i detyrojnë autoritetet në Kosovë për këtë (zgjidhjen paqësore).

Takimi Kurti-Vuçiq i 18 gushtit do të jetë takimi i parë mes dy liderëve pas më shumë se një viti. Për herë të fundit në Bruksel ata u takuan në korrik të vitit 2021.

Javën e kaluar, shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell, ftoi Kurtin dhe Vuçiqin për takim në Bruksel. Ftesa u bë në kohën kur tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës.

Barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë për në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, vendime që çuan në bllokimin e rrugëve.

Shtyrja e këtyre vendimeve u bë pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45303 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE