Një tjetër sezon mjaft i suksesshëm i “@ The Movies” mbyllet sot!
Programi “@ The Movies” transmeton sot episodin e fundit të këtij sezoni në radio. Sigurisht që Top Albania Radio mendon edhe për kinema-dashësit dhe prandaj ka sjellë një program i cili servir kinemanë në 360 gradë. Filmat e rinj, ngjarjet e fundit nga protagonistët tuaj të preferuar, recensionet e filmave, shoqëruar nga kolonat zanore të paharrueshme që zgjojnë kujtime rrënqethëse. Nuk duhet të harrojmë quiz-et me të cilët janë fituar bileta për të parë filmat e preferuar, po ashtu edhe të ftuar në studio nga bota e artit të 7-të si dhe ndërveprim me shikuesit e filmave në kohë reale.
Nuk mund të mungonte në Top Albania Radio një program për botën e magjishme të kinematografisë. Me të ftuar jo vetëm në studio por edhe nëpërmjet lidhjeve telefonike. Kujtojmë këtu 5 sugjerimet e filmave nga Ledion Liço, i cili zbuloi se filmat me superheronj nuk është se i pëlqen shumë por ka disa filma që realisht i do shumë dhe që normalisht ia vlen që të shihen.
Gjithashtu ka qenë i ftuar në studio edhe regjisori Erion Kame i cili ka folur dhe ka dhënë më shumë detaje në lidhje me filmin më të ri që titullohet “Një jetë me ty” apo edhe dy producentët e filmit “Bolero në vilën e pleqve”, Agim Halili dhe Olsi Abazi. Ata kanë folur në lidhje me filmin më të ri por jo vetëm kaq pasi ata kanë zbuluar ekskluzivisht për Top Albania Radio se cili do të jetë edhe projekti i tyre i ardhshëm.
Të gjithëve na ka rastisur që të dëgjojmë për serialin shqiptar më të ri të titulluar “Snob”. E ftuara e parë e këtij sezoni në “@ The Movies” ka qenë Dalina Buzi, krijuesja, skenaristja dhe bashkëproducentja e “Snob”, i cili u transmetua në Top Channel.