1 shtator/Kosova dhe Serbia pa dokumente për hyrje e dalje!

vovalbania September 01, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
1 shtator/Kosova dhe Serbia pa dokumente për hyrje e dalje!

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrjet dhe daljet për shtetasit e Kosovës. Me një dokument të tillë, i cilësuar zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët që hynin në territorin serb, pajiseshin prej 11 vitesh. Pasi hyri sot në Kosovë, Dragan Mirosavleviç, profesor në Universitetin e Mitrovicës, i tha Radios Evropa e Lirë, se në kufi shkoi gjithçka mirë. Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke theksuar se nuk i ndjek shumë lajmet.

Në orët e para të ditës së sotme, heqjen e kësaj mase e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, duke folur nga pika kufitare në Bërnjak.

Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk kemi ndonjë veturë që ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë. Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për në Serbi.

Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar. Paraprakisht, në kuadër të reciprocitetit, pritej që edhe Kosova të niste zbatimin e të njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori, pra sot.

Një vendim i tillë u zbatua shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e shtyu me 30 ditë. Ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, palët arritën marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë.

Po sot, në Kosovë pritet të nisë zbatimi i vendimit të Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e makinave me targa serbe. Edhe kjo masë duhej të hynte në fuqi nga 1 gushti, por për të njëjtat arsye, u shty me 30 ditë.

Sveçla shpreson që edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në të Kosovës” të jetë pa probleme, si ajo e dokumenteve. Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia njoftoi:

Mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të lehtësohet, bazuar në Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por deri tani nuk kishte gjetur zbatimin e duhur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE