Në veri të Kosovës rishfaqen thirrjet kundër riregjistrimit me targat RKS!

vovalbania September 01, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Në veri të Kosovës rishfaqen thirrjet kundër riregjistrimit me targat RKS!

Në Mitrovicën e Veriut, sërish u shfaqën mbishkrime kundër riregjistrimit të makinave me targat RKS-Republika e Kosovës. “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbet”, referuar targës KM (Mitrovicë e Kosovës) që lëshohet nga autoritetet e Serbisë dhe konsiderohet e paligjshme nga Prishtina.

Po ashtu, në disa targa, simboli i Kosovës u mbulua me letra ngjitëse ku shkruhej KM. Pas shtyrjes 30 ditore me kërkesë të ndërkombëtarëve, muaji shtator filloi me zbatimin e afatit prej 61-ditësh për riregjistrimin e autoveturave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia, të tilla si KM, PR, PZ e të ngjashme, që përdoren nga qytetarët serbë në veri të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që të tilla mesazhe shfaqen në Mitrovicë të Veriut, pasi për herë të parë ato u evidentuan më 30 korrik të këtij viti. Por, edhe këtë here, Policia e Kosovës ka zgjedhur të mos bëjë ndonjë njoftim në lidhje me mbishkrimet. Ndërkaq, gjatë muajit gusht, në Mitrovicën e Veriut u shfaqën grafite ku shkruhej “Brigada e Veriut – Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.

Albin Kurti iu bën thirrje qytetarëve serbë në Kosovë të riregjistrojnë makinat me targat RKS Republika e Kosovës ndërsa sot nisi afati dymujor për riregjistrim. Për procesin qëndrojnë në dispozicion 34 qendra komunale. Sipas kryeministrit, targat e lëshuara nga Serbia janë trashëgimi e Millosheviçit, që synon t’i mbajë në të kaluarën e të izoluar. “Konvertimi në targa RKS siguron lëvizje të lirë, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti përmes një video-mesazhi në serbisht të postuar në rrjetet sociale.

Kryeministri Kurti nënvizoi se riregjistrimi do t’u mundësojë qytetarëve serbë që me makinat e tyre të qarkullojnë në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas Kurtit, rreth 402 mijë automjete rezultojnë të regjistruara me targat RKS. Ato që duhet të konvertohen në targa RKS përbëjnë rreth 2 për qind të autoveturave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48380 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE