Tabaku: Rama ofron taksat dhe sigurinë e shqiptarëve me koncesion

vovalbania September 01, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tabaku: Rama ofron taksat dhe sigurinë e shqiptarëve me koncesion

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se siguria e të dhënave të biznesit është në rrezik.

Në një reagim në Facebook, Tabaku shprehet se “një koncesion prej 15 mln euro dhënë me paracaktim një kompanie kroate nisi hapin e parë të “Fiskalizimit”.

“Kur qeveria e mbronte këtë koncesion, kam paralajmëruar që kostoja do t’i shkojë biznesit dhe për rrjedhojë qytetarëve. Kur buxheti 2022 po diskutohej në komision ngrita shqetësimin për PPP/koncesionin për “Çelësat elektronikë” që qeveria i ka miratuar si koncesion. Kjo do të thotë që tanimë çelësat elektronikë do të jepen me koncesion me vlerë tek 4,5 mln euro që do të dalin nga buxheti i shtetit, pra taksat e shqiptarëve. Kështu ndërsa kriza energjitike pritet të mbulojë edhe Shqipërinë, ndërsa kriza e çmimeve ka prekur familjet shqiptare qeveria vazhdon avazin me PPP-të. Përtej kostove të larta që pritet të ketë në buxhet, kostove të larta që do të ketë për bizneset i shtohet dhe një rrezik tjetër; siguria e të dhënave të biznesit”, u shpreh deputetja e PD-së.

Sipas saj, “qeveritë Rama kanë një historik negativ në lidhje me koncesionet/PPP, rasti inceneratorëve ku tre inceneratorë i janë dhënë 1 kompanie offshore, rasti i dështuar i koncesionit të TVSH-së (me një tjetër kompani offshore) janë disa shembuj domethënës për të dëshmuar “përgjegjshmërinë” e kësaj mazhorance dhe qeverie”.

“Nuk do ishte habi për askënd nëse fituesi do të ishte ndonjë kompani offshore që më pas do manaxhonte të gjitha të dhënat e bizneseve. Por edhe nëse nuk do të ishte një kompani offshore apo e papërcaktuar në pronësi, kush siguron bizneset që do të ruhen informacionet e tyre sekrete? Një qeveri e cila ka në kurriz skandalin e patronazhistëve? Një qeveri e cila ka në kurriz skandalin e pagave apo të targave?”, shtoi ajo.

Sipas saj, vetëm këto dy momente do të ishin të mjaftueshëm për të ndaluar çmendurinë e dhënies me PPP/koncesion të çelësave elektronikë për çdo biznes.

“Praktikisht kjo e Ramës është dhënia me koncesion me taksat e shqiptarëve të sigurisë së bizneseve në kushtet ku kjo qeveri njihet si kampione e korrupsionit në rajon dhe më gjerë”, tha Tabaku.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48472 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE