Britani, sot mësohet emri i kryeministres apo kryeministrit të ri mes Liz Truss e Rishi Sunak!

vovalbania September 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Britani, sot mësohet emri i kryeministres apo kryeministrit të ri mes Liz Truss e Rishi Sunak!

Sot mësohet emri i kryeministres apo kryeministrit të ri të Britanisë së Madhe. Partia Konservatore në pushtet pritet të njoftojë nëse kryediplomatja Liz Truss ose ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak, ka fituar shumicën e votave të anëtarëve për të zëvendësuar Boris Johnson-in në postin e liderit të forcës politike qeverisëse, dhe si të kryeministrit. Emri vjen pas dy muajsh pasigurie, me rritje të çmimeve të energjisë e me greva të mijëra punëtorëve.

Kushdo të zgjidhet do të trashëgojë një ekonomi që po shkon drejt një recesioni të gjatë e duhet të ndërmarrë masa për të zbutur krizën e kostove të jetesës në Mbretërinë e Bashkuar. Nga kriza e pas luftës në Ukrainë, faturat e energjisë janë trefish më të larta se viti i kaluar. Inflacioni arriti në mbi 10%, për të parën herë që nga vitet ‘80. Qeveria britanike përballet me thirrjet që të ofrojë paketa financiare, për të ndihmuar miliona persona që të paguajnë faturat e ngrohjes, për të kaluar dimrin.

Partia Laburiste në opozitë dhe të tjerë kritikë e akuzojnë qeverinë se “nuk veproi” gjatë verës teksa pakënaqësitë sociale kanë shtyrë mijëra punonjës të kompanive të trenave, porteve e postës, avokatë dhe të tjerë, që të hyjnë në grevë për të kërkuar paga më të mira, pas rritjes së kostove të jetesës.

Truss, e cila gjerësisht shihet si favorite për postin e kryeministres, ka fituar mbështetjen e shumë prej konservatorëve me politikën e saj që shteti të ndërhyjë e të shkurtojë taksat. Ajo premton të veprojë “menjëherë” për të luftuar rritjen e çmimeve të energjisë.

I portretizuar si ekonomist më realist, Sunak bëri të ditur se përkohësisht do të ndërpresë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për faturat e energjisë. Angazhohet të mos e zhysë shtetin në borxhe dhe që të tjera shkurtime tatimore të bëhen kur inflacioni të vihet nën kontroll.

Ekonomia do të jetë çështja kryesore në muajt e parë të mandatit të kryeministrit të ri, por pasardhësja apo pasardhësi i Johnson-it duhet të merret edhe me pozitën e Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare, nën dritën e pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së pranisë së Kinës e tensioneve me Bashkimin Europian mbi periudhën post-BREXIT.

Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, kur kabineti i tij u përball me skandale etike. Ai po shërben si kryeministër në detyrë, por është kritikuar gjerësisht për dështimin që t’i përgjigjet krizës së energjisë.

Votimi për liderin e ri u mbyll të premten, por sot bëhet publik emri. Johnson dhe pasardhësja apo pasardhësi do të udhëtojnë për në Skoci për t’u takuar nesër me Mbretëreshën Elizabeta e Dytë, që zyrtarisht Boris Johnson të dorëzojë dorëheqjen, ndërsa liderit të ri t’i bëhet ftesë të formojë qeverinë. Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat, tradicionalisht mbahen në Pallatin Buckkingham në Londër. Por, për shkak të problemeve të fundit shëndetësore, monarkja 96-vjeçare do t’i presë në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE