Rama nga spitali i Laçit: Mjekë të rinj në personel, nuk kemi më boshllëqe

vovalbania September 05, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama nga spitali i Laçit: Mjekë të rinj në personel, nuk kemi më boshllëqe

Në Laç hapi sot dyert spitali i ri, i rilindur pas shkatërrimit nga tërmeti, si një model shembullor i spitaleve bashkiake në vend.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektuan sot ambientet e reja të këtij spitali, i ndërtuar me kushtet më të mira.

Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal te mjekët e rinj të punësuar pranë këtij spitali, përmes sistemit që mundëson shpërndarjen e forcave të reja që dalin nga specializimet.

“Në këtë ditë të sotme, përgjatë hedhjes së një vështrimi në mjediset e reja të spitalit pashë disa mjeke të reja, të cilat i janë atashuar spitalit të Kurbinit për të dhënë kontributin e tyre, pasi kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në shkollë. E theksoj këtë, sepse shpeshherë e dëgjojmë të përsëritet se nuk kemi mjekë e infermierë, kanë ikur të gjithë. Në fakt më vjen shumë mirë ta nënvizoj, ne nuk e kemi një boshllëk të tillë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se është e pamohueshme që ka mjekë e infermierë të rinj që largohen dhe është e drejta e tyre të provojnë veten gjetkë, por ne kemi një sistem sot që na mundëson që përmes shpërndarjes së forcave të reja që dalin nga specializimet të mos kemi boshllëqe.

“Sot kemi një shpërndarje e prani shumë më të plotë sesa disa vite më parë, ku trashëguam një gropë të madhe të pashpjegueshme të mungesës së specialistëve për shkak të mbylljes absurde të specializimeve për vite të tëra. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme që nuk ia kemi gjetur shpjegimin. Sot mund të harmonizojmë eksperiencën e mjekëve me përvojë dhe atyre më të rinjve që vijnë me pasion për të shërbyer dhe të cilëve duke u afruar kushte të tilla si kushtet e këtij spitali, duke u vënë në dispozicion mjete dhe aparatura si ky spital, ju rrisim motivimin dhe ju ushqejmë dëshirën që të vazhdojnë të punojnë në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri uroi mjekët me përvojë dhe ata të rinj që së bashku t’ia dalin t’i ofrojnë të gjithë këtij komuniteti një shërbim cilësor për t’i bërë njerëzit të ndjehen mirë nga mënyra se si priten, trajtohen dhe si ndjehen kur dalin nga dyert e spitalit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48416 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE