Pak para largimit nga Shqipëria, diplomatët iranianë dogjën dokumentet!

vovalbania September 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pak para largimit nga Shqipëria, diplomatët iranianë dogjën dokumentet!

Pasi Shqipëria akuzoi Iranin për “agresion shtetëror” lidhur me sulmin kibernetik të mesit të korrikut e dje njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë, raportohet se këta të fundit dogjën dokumentet, disa orë para ikjes. Një dëshmitar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “ka parë një person brenda ambasadës, duke hedhur letra në një fuçi me zjarr”.

Në godinën e boshatisur të selisë diplomatike të Teheranit në kryeqytet shkuan efektivë të Antiterrorit e RENEA-s dhe një njësi Antieksploziv kreu kontrolle, përpara se objekti t’i dorëzohet uniformave blu.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama urdhëroi diplomatët dhe stafin të mbyllnin ambasadën e të largoheshin nga Shqipëria brenda 24 orëve. Kjo është e para herë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik e ndërmerr masa të tilla.

Shefi i qeverisë tha se “sulmi kibernetik i korrikut ka kërcënuar paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve digjitale, si dhe grabitjen e të dhënave e të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare”.

Edhe Amerika, aleate e ngushtë e Shqipërisë, po ashtu fajësoi Iranin për sulmin e premtoi se do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm që Republika Islamike të mbahet përgjegjëse për veprimet që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.

Ndërkohë, Republika Islamike mohon se qëndron pas këtij sulmi që preku edhe platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët shqiptarë pajisen me shumicën e dokumenteve. Teherani dënoi vendimin e Tiranës zyrtare për të ndërprerë raportet diplomatike, duke thënë se për këtë çështje, Shqipëria mori vendim “mbi pretendime të pabaza”.

Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3 mijë anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47673 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE