Përparojnë forcat ukrainase, rimarrin 2 mijë kilometra katrorë!

vovalbania September 11, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përparojnë forcat ukrainase, rimarrin 2 mijë kilometra katrorë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmon se forcat e tij kanë rimarrë 2 mijë kilometra katrorë në kuadër të kundërofensivës së nisur në lindje të Ukrainës. Përparimet e shpejta të trupave qeveritare të Kievit përfshijnë edhe hyrjen e tyre në qytezat Izjum e Kupiansk, një ditë më parë. Ndërkohë, zyrtarë britanikë të Mbrojtjes paralajmëruan se luftime të ashpra pati edhe jashtë këtyre qytezave.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi tërheqjen e forcave ruse, duke deklaruar se “ky vendim u mor për t’u mundësuar ushtarëve “rigrupimin” në territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur prej Rusisë. Gjithashtu, ky dikaster konfirmoi tërheqjen e forcave ruse në Balakja, me qëllim “rritjen e përforcimeve” në frontin e Donjeckut. Në këtë qytezë, pra Balakja ushtria ukrainase hyri dy ditë më parë.

Ndërkohë, administrata e instaluar nga Moska në rajonin ukrainas të Kharkivit, u bëri thirrje banorëve të evakuohen në Rusi “për të ruajtur jetët e tyre”. Në disa pamje të paverifikuara në rrjetet sociale janë parë radhë të gjatë njerëzish duke iu drejtuar kufirit.

Guvernatori i Belgorodit, rajon kufitar në Rusi, bëri të ditur se “personave që evakuohen do t’iu sigurohet ushqim, ngrohje dhe ndihmë shëndetësore”.

Shpejtësia e kundërsulmit të ushtarakëve të Ukrainës, nuk zuri në befasi vetëm rusët, por raportohet edhe se befasoi shumë ukrainas. Megjithatë, ende besohet se rusët zotërojnë një të pestën e sipërfaqes së Ukrainës.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e vendit fqinj më 24 shkurt të këtij viti edhe pse qëndrimi zyrtar i Kremlinit nuk flet për luftë, por për “operacion special ushtarak në çmilitarizimin e denazistifikimin e Ukrainës”.

Perëndimi iu kundërpërgjigj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra dhe kjo ka çuar në acarime të mëteshme e përbën problem çështja e furnizimeve me gazin rus në Europë. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona e miliona të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45369 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE