Hetimi për TIMS: Sulmi kibernetik nga 18 vende; sistemi ende i ngadaltë

vovalbania September 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hetimi për TIMS: Sulmi kibernetik nga 18 vende; sistemi ende i ngadaltë

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga sulmi kibernetik ndaj sistemeve të policisë ato nuk janë akoma kthyer totalisht në normalitet.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar vijon regjistrimi manual i qytetarëve. Ka pasur tentativa të vazhdueshme nga ana e policisë për ringritje të sistemit por ai ose është I ngadaltë ose nuk i merr të dhënat.

Këto pamje janë filmuar rreth orës 14.00 të së hënës në Kapshticë. Sistemi hapet pak çaste, është i ngadaltë nuk i merr të dhënat e më pas fiket duke iu rikthyer sërish regjistrimit manual dhe kontrollit të personave në kërkim me lista të printuara.

Në rast se ka fluks të shtuar udhëtarësh policët e kufirit vetëm fotografojnë pasaportat dhe plotësimin e të dhënave e bëjnë në një moment të dytë. Kjo ndodh edhe në Rinas.

Sipas Ministrisë së Brendshme, ngadalësimi është thuajse i pandjeshëm dhe ai vjen për shkak të serverave të rinj të vendosur për të mbrojtur sistemin TIMS nga sulmi i së shtunës.

Grupi i hakerave vijon të publikojë video ku tenton të tregojë se është një hap para autoriteteve dhe se ka akses të kamerave të aeroportit dhe sistemeve të policisë.

Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e këtij sulmi ka dedektuar në sistem ndërhyrje nga 18 IP që i përkojnë 18 vendeve te ndryshme.

Policia shqiptare u ka nisur letër-porosi këtyre vendeve për të shkuar tek autorët e këtij sulmi.

Mungesa e sistemeve ka sjellë anomali në funksionimin normal të punës së policisë e cila e ka më të vështirë të verifikojë më të shpallurit në kërkim, pasaportat apo të pasqyroje punën e përditshme.

Nga mungesa e sistemit të policisë janë penalizuar edhe qytetarët e gjobitur nga policia të cilët nuk mund ta shlyejnë gjobën brenda 5 ditëve dhe do t’u duhet ta paguajnë me kamat vonesë.

Në mungesë të sistemit është vështirësuar puna në të gjitha komisariatet dhe drejtoritë të cilët nuk përpilojnë asnjë shkresë me kompjuter dhe çdo gjë e shkruajnë në blloqe shënimi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE