DASH përshkruan rolin e zëdhënësit të Kremlinit, Peskov!

vovalbania September 14, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
DASH përshkruan rolin e zëdhënësit të Kremlinit, Peskov!

Departamenti Amerikan i Shtetit bën një përshkrim të Dmitry Peskov, duke e cilësuar “fytyrën e propagandës së Kremlinit”. Ai ka shërbyer si zëdhënës i Vladimir Putinit që nga viti 2008. Në këtë cilësi, ka luajtur një rol kyç në fushatat propaganduese dhe dezinformuese duke mbuluar lidhjet e Kremlinit, nga helmimi me polonium në vitin 2006 të ish-oficerit të shërbimeve sekrete ruse, Alexander Litvinenko, helmimin me “Novichok” në vitin 2018, të ish-oficerit të shërbimeve sekrete ushtarake ruse, Sergei Skripal dhe të vajzës së tij Yulia, dhe helmimin me “Novichok” në vitin 2020 të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH).

Në të gjitha këto raste, burime zyrtare dhe të pavarura kanë hedhur poshtë informacionet e rreme të Kremlinit duke bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë Moskën. Shërbimi ndaj Putinit ka qenë fitimprurës për Peskov dhe pavarësisht se ka qenë nëpunës civil gjatë gjithë karrierës së tij, ai dhe familja e tij tani janë multimilionerë.

Përpara se Putini të niste luftën e tij të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës, Peskov ka mohuar vazhdimisht pretendimet se Rusia mund të ketë patur ndonjë qëllim për të pushtuar fqinjin e saj. Rusia nuk përbënte një kërcënim për Ukrainën, dhe se Moska nuk kishte sulmuar kurrë asnjë vend tjetër dhe se Rusia do të ishte vendi i fundit në Evropë që do të mendonte për fillimin e një lufte. Në përpjekje për të diskredituar raportet e medieve perëndimore që ekspozonin përgatitjet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën, Peskov i quajti ato provokime, nxitje të pabaza të tensioneve, histeri perëndimore, falsifikime të papërgjegjshme dhe çmenduri maniake të informacionit. Lufta e Rusisë në Ukrainë vërtetoi raportet e medieve duke minuar kështu besueshmërinë e Peskov.

Ndërsa forcat ushtarake ruse po tërhiqen nga disa zona të Ukrainës dhe të ridislokohen diku tjetër, bota po mëson për mizoritë e Kremlinit në të gjithë vendin. “Human Rights Watch” dhe burime të tjera të pavarura kanë dokumentuar shumë raste të ekzekutimeve, përdhunimeve masive dhe plaçkitjes së pronës civile, duke arritur në përfundimin se forcat ushtarake ruse po kryejnë krime lufte. Në Bucha dhe shumë periferi të tjera të Kievit, janë shfaqur dëshmi të vrasjeve dhe torturave të civilëve, disa të qëlluar nga një distancë e afërt dhe të tjerë me duar të lidhura ose të djegur.

Pavarësisht këtyre rrëfimeve të qarta, faktike dhe të pakundërshtueshme, Peskov ka qenë një nga zbatuesit kryesorë të librit standard të dezinformimit të Kremlinit, mohimit, gënjeshtrës dhe turbullimit. Kremlini reagoi ndaj protestave globale pas zbulimit të provave që treguan se forcat ruse kishin kryer krime lufte në Bucha, duke mohuar fillimisht çdo përfshirje në masakër dhe më pas duke propaganduar disa narrativa të rreme për të fshehur të vërtetën.

Më 11 mars, Departamenti i Thesarit i SHBA-së sanksionoi tre nga anëtarët e ngushtë të familjes së Peskov, të cilët bëjnë një jetë luksoze që nuk përputhet me pagën e nëpunësit civil të Peskov, dhe që janë ndërtuar mbi përfitimet e marra në mënyrë të paligjshme nga lidhjet e Peskov me Putinin. Sipas Departamentit të Thesarit, anëtarët e familjes së Peskov kanë një perandori të pasurive të paluajtshme me vlerë mbi 10 milion dollarë, numër të konsiderueshëm automjetesh luksoze e udhëtojnë rregullisht me avionë dhe jahte private.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47671 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE