Nancy Pelosi në Armeni, nderon viktimat e gjenocidit!

vovalbania September 18, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nancy Pelosi në Armeni, nderon viktimat e gjenocidit!

Në Shtetet e Bashkuara, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve nderoi viktimat armene të masakrave të epokës otomane, gjatë vizitës që ka për qëllim të shfaqë mbështetjen për Armeninë, në mesin e luftimeve të reja me Azerbajxhanin. Nancy Pelosi, e cila po qëndron nga dje në Jerevan, është zyrtarja më e lartë amerikane e cila viziton Armeninë që nga koha kur ky shtet fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991.

Para takimit të planifikuar me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, sot Pelosi vendosi kurora lulesh pranë një monumenti në Jerevan për të nderuar pothuajse 1.5 milion armenë që humbën jetën në fushatat e orkestruara të dhunës nga turqit otomanë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Vrasjet e cilësuara si gjenocid nga një numër i madh historianësh, si dhe nga Kongresi Amerikan, i cili në mënyrë unanime miratoi rezolutën e gjenocidit në vitin 2019.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, zyrtarisht i ka njohur vrasjet si gjenocid në prill të vitit 2021.

Në një postim në Twitter, Pelosi shkroi:

Nga Shtetet e Bashkuara në Ukrainë, Tajvan, Armeni, bota përballet me zgjedhjen mes demokracisë e vetëqeverisjes dhe ne duhet të zgjedhim sërish demokracinë.

Këto deklarata janë referencë e vizitave që zyrtarja e lartë amerikane ka bërë gjatë muajve të fundit. Në maj, udhëtoi në Kiev ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit po përballet me pushtimin rus. Muajin e kaluar, Pelosi vizitoi Tajvanin, vizitë që zemëroi Pekinin, që ishullin e quan provincë të vetën dhe është zotuar se do ta bashkojë me Kinën.

Pelosi është nga Kalifornia, “shtëpi” e një prej komuniteteve më të mëdha etnike armene në SHBA. Në udhëtimin në Armeni, po shoqërohet nga ligjvënëset Jackie Speier dhe Anna Eshoo, të dyja me prejardhje armene. Vizita vjen disa ditë pas luftimeve më të këqija në dy vjet mes Armenisë e Azerbajxhanit dhe që lanë të vrarë mbi 200 persona nga të dyja palët. Përplasjet lidhen me rajonin e Nagorno-Karabakut. Qeveria azere ende nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare lidhur me vizitën e Pelosit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45385 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE