Polonia dhe vendet e Baltikut nuk lejojnë hyrjen në territor të rusëve me viza Shengen!

vovalbania September 19, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Polonia dhe vendet e Baltikut nuk lejojnë hyrjen në territor të rusëve me viza Shengen!

Nga sot, shumica e qytetarëve rusë nuk do të mund të hyjnë në territoret e Polonisë, Estonisë, Letonisë e Lituanisë. Shtetasit e Rusisë me vizë Shengen, të cilët duan të lëvizin për qëllime turizmi, biznesi, sportive apo kulturore, nuk lejohen të shkelin në shtetet përkatëse. Vendet baltike, si dhe Polonia e Finlanda ishin të parat që bënë thirrje për masa kufizuese me vizat turistike për rusët.

Po nga kjo e hënë, edhe Zvicra pezulloi procedurat e thjeshtuara të vizave për rusët. Ndërkohë, Polonia dhe shtetet baltike thanë se ndalimi nuk përfshin disidentët politikë, rastet humanitare e një sërë rrethanash të tjera, duke përfshirë misionet diplomatike ruse dhe lidhjet familjare. Më 31 gusht, BE-ja pezulloi marrëveshjen për viza me Moskën si një “hap i parë i domosdoshëm”.

Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë. Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare të Unionit janë të ndara në këtë çështje.

Gjermania dhe Franca, kanë qenë në anën tjetër të debatit, duke thënë se kufizimi i vizave për rusët do të rezultojë si masë joproduktive, teksa BE-ja tenton të luftojë për “zemrat dhe mendjet” e atyre rusëve që nuk përkrahin luftën në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt të këtij viti me urdhër të presidentit Putin.

Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë. Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga vendi i tyre që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit, ndoshta për t’iu shmangur kufizimeve zyrtare ose për t’i shpëtuar sanksioneve financiare, të hapësirës ajrore, tregtare dhe sanksioneve të tjera ndërkombëtare të vendosura nga Perëndimi. Moska mori hak e po kthehet në pengesë për furnizimin me gaz në Bashkimin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47811 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE