Dosjet e ish-Sigurimit, debate në Komisionin e Ligjeve!

vovalbania September 21, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dosjet e ish-Sigurimit, debate në Komisionin e Ligjeve!

Në Komisionin e Ligjeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi u shpreh kundër propozimeve të PS-së dhe PD-së për ligjin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, “personat me certifikatë pastërtie nga komisionet Mezini- Bezhani, nuk mund të futen sërish në “sitë” nga Autoriteti i Dosjeve”. Bylykbashi u shpreh kundër edhe propozimit të Alibeajt, për të cilin tha se “dosjet janë të hapura e nuk ka vend për të propozuar deklasifikimin e tyre”.

Ne duhet të rikthejmë ligjin e vitit 2008 për Lustracionin, me mekanizma për të hequr ata që kanë shkaktuar atë gjëmë, duke filluar nga ata drejtues politikë që ngritën atë sistem kriminal komunist. Po ta kishim bërë në kohë dhe të kishte funksionuar siç duhet ligji i vitit 1995, PS jo vetëm që do ishte boshatisur, por do ishte mbushur shpejt me gjak të ri. Eshtë e deformuar kështu sepse kjo nuk ndodhi dhe kërkuat më 2008-ën të rrëzohej ligji i Lustracionit.

Për propozimin e Ballës, bie ndesh me jurisprudencën e Kushtetueses. Autoriteti është organ i administratës, por me ligj nuk ka kompetenca gati gjyqësore. Ky propozim cënon 2 gjëra: cënon sigurinë juridike, kush ka dashur e ka çuar në gjykatë vendimin e komisionit të 1995-ës; vendimi që do marrë Autoriteti do vërë në dyshim një vendim të mëparshëm dhe këtë kompetencë ia merr gjykatës.

Në lidhje me projektligjin tjetër, nëse vendosim sot një rregull që deklasifikohen të gjitha dosjet, i bie që Autoriteti ka bërë punë në kundërshtim me ligjin. Sot nuk ka asnjë dispozitë që i jep fuqi mbajtjes sekrete të atyre dosjeve. Të gjitha dosjet e sigurimit janë të deklasifikuara, kalimi i afatit e ka bërë deklasifikimin si koncept. Mendoj se dosjet janë të gjitha të hapura, konsultohen në mënyrën si e përcakton ligji. Në fund fare rezultati duhet të jetë lustracioni. Kujt i del emri ikën nga funksioni me ligj, siç kemi bërë dekriminalizimin.

Po në Komisionin e Ligjeve, deputetja socialiste Ermonela Felaj i tha Bylykbashit se “të quash “hipokrizi” që certifikata Mezini-Bezhani të mos vihet në diskutim”, tregon qëndrim hipokrit. Felaj theksoi qëndrimin e maxhorancës për të hequr këto certifikata dhe çdo person, i cili do të jetë protagonist në jetën publike, më parë të përballet me Autoritetin e Dosjeve. Kjo për të shprehur cilësitë morale e për të qenë ballëhapur me të shkuarën.

Ju na ftoni të mendojmë si 15 vjet më parë me mendjen e tjetërkujt. Shumica prej nesh nuk ka arsye ta bëjë këtë. Gjërat kanë bërë progres, nuk jemi më në vitin 1995, por më 2022-shin. Ne e kemi thirrur Autoritetin që të jemi të kujdesshëm. Të quash hipokrizi që certifikata Mezini-Bezhani të mos vihet në diskutim, hipokrizia kalon në anën tuaj. Ne po themi: hiqni këto certifikata dhe kushdo person që do të jetë protagonist në jetën publike, le të përballet më parë me Autoritetin për të shprehur cilësitë morale dhe për të qenë ballëhapur me të shkuarën. Sa për lustracionin, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar. Këtu s’ka vend as për hipokrizi dhe as për thënë që këtu po preken të persekutuarit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47383 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE