7 muaj luftë në Ukrainë dhe dita e dytë e të ashtuquajturit “referendum rus” në 4 rajone ukrainase!

vovalbania September 24, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
7 muaj luftë në Ukrainë dhe dita e dytë e të ashtuquajturit “referendum rus” në 4 rajone ukrainase!

Ndërsa sot mbushen 7 muaj nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, në emër të “operacionit special ushtarak” për çmilitarizimin e vendit, për 4 rajone ukrainase sot është dita e dytë e të ashtuquajturit “referendum” për bashkim me Rusinë. Votimi i nisur dje e që mbyllet më 27 shtator, nga Perëndimi konsiderohet “i paligjshëm”.

Politikanët pro-rusë ngritën pika votimi në Luhansk, Donjeck, Kherson dhe Zaporizhja, në juglindje të Ukrainës. Ky veprim i paligjshëm sipas ligji ndërkombëtar, u dënua edhe nga Ukraina, Perëndimi e Organizata e Kombeve të Bashkuara. Votimi bie ndesh me statutin e OKB-së dhe zhvillohet mes pretendimeve të disa zyrtarëve lokalë se votuesit po kërcënohen e frikësohen. Në rajonet ku votohet, nuk ka vëzhgues të pavarur. Ato përfaqësojnë rreth 15 për qind të Ukrainës, ose një zonë sa territori i Hungarisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky:

Bota të reagojë ndaj pseudo-votimeve, të dënohen pa asnjë mëdyshje!

Në Uashington, presidenti amerikan, Joe Biden, dënoi këtë akt dhe paralajmëroi më shumë sanksione për Moskën.

Referendumi i Rusisë është mashtrim, pretekst i rremë për të tentuar aneksimin me forcë të pjesëve të Ukrainës, në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.

SHBA-të janë të përgatitur të vendosin sanksione shtesë ekonomike ndaj Rusisë, në hap me aleatët, nëse Moska përpiqet të aneksojë më shumë territor të Ukrainës. Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borell, bëri të qartë se përgjegjës do të mbahen liderët e Rusisë dhe të gjithë personat e përfshirë.

Tre ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quajti “mobilizim të pjesshëm ushtarak”. Zyrtarët ukrainas thanë se njerëzve u ndalohet të largohen nga katër rajonet ku po mbahet i ashtuquajturi referendum rus, deri në përfundimin e votimit 5-ditor.

Nikolai Bulaev, zv.shef i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi pret që “qindra mijëra” ukrainas që tashmë janë në Rusi, të marrin pjesë në votim. Rusia nuk veçohet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, pasi shpesh ka pasur raportime në media për mashtrime e manipulime.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45429 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE