Parlamenti Europian kërkon kushtëzim në bisedimet e Serbisë me BE-në!

vovalbania September 28, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Parlamenti Europian kërkon kushtëzim në bisedimet e Serbisë me BE-në!

Parlamenti Europian pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Europian, të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë. Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së, të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, raportues i PE-së për këtë strategji.

Në propozime thuhet edhe se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së e të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.

Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut europian ndaj Moskës.

Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë. Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ditët e fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse. Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.

Por, Serbia ka thënë se një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme serbe e ka nënshkruar me Rusinë që nga viti 1996, çdo dy vjet.

Mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Në draft-raportin e PE-së, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Europian ka vendosur në axhendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e raporteve.

Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë. PE-ja kërkon që të shpërblehet përparimi i shteteve kandidate që kanë harmonizuar politikat e tyre me ato të BE-së dhe të sanksionohet çdo regres. Dokumenti i hartuar nga raportuesi Piculla kërkon që të pezullohet procesi i negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Turqisë në përputhje me kornizën negociuese, nëse Ankaraja nuk angazhohet përsëri me Brukselin e nuk dëshmon përparim të qartë në reforma.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45345 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE