Rriten çmimet e banesave në vend, sipas Bankës së Shqipërisë, me 28.4%!

vovalbania September 29, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rriten çmimet e banesave në vend, sipas Bankës së Shqipërisë, me 28.4%!

Çmimet e banesave në vend shënuan rritje rekord në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë.

Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%. Rritja e 6-mujorit të parë të vitit u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë.

Sipas BSH-së, koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ka rënë lehtë në një mesatare prej 10.8 muajsh.

Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.7 muajsh, por kjo vlerë shënoi rritje të lehtë nga një gjashtëmujor më parë. Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme, duke rënë nga 11 në 6 muaj. Koha e shitjes së pronave në zonat e tjera ka qëndruar pothuajse e pandryshuar në 13.1 muaj.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, rreth gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në shumicën dërrmuese të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Në parashikimet e tyre, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare: balancat neto ishin pozitive, përkatësisht 24% dhe 22%.

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme. Subjektet e zgjedhura janë agjentë të zyrave të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE