Zgjedhjet në Bosnje, tre emra drejt Presidencës!

vovalbania October 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Bosnje, tre emra drejt Presidencës!

Kandidati i moderuar boshnjak, Denis Beqiroviç po kryeson garën për të fituar një vend në presidencën trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës. Sipas rezultateve paraprake të publikuara në orët e para të mëngjesit, Beqiroviç, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i përkrahur nga 11 parti opozitare, fitoi 55.78% të votave. Ndërkohë, mori 39.31% Bakir Izetbegoviç me subjektin nacionalist, Partia për Veprim Demokratik, në pushtet prej vitit 1996.

Presidencën, Beqiroviç pritet të ndajë me përfaqësuesen e kroatëve, Borjana Kristo nga Bashkimi Demoratik Kroat (HDZ) dhe serben Zhelka Cvijanoviç nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur.

Një ditë më parë, qytetarët me të drejtë vote u thirrën të zgjidhnin për përfaqësuesit e tyre në presidencën trepalëshe, si dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale e lokale. Mbi 60 mijë vëzhgues u akredituan për të mbikëqyrur procesin. Pjesëmarrja ishte 50%, 2% më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018. Gara më e fortë u zhvillua mes nacionalistëve e reformatorëve të fokusuar në ekonomi.

Pati raportime për parregullsi e ndalim personash për mashtrime zgjedhore. Aktualisht, Bosnje-Hercegovina përballet me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve ‘90, sidomos për shkak të politikave separatiste të liderëve të serbëve të Bosnjës e kërcënimeve të kroatëve për bllokada.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome: Republika Srpska e dominuar nga serbët dhe nga Federata e boshnjakëve myslimanë e kroatëve. Federata është e ndarë në 10 kantone. Ekziston edhe distrikti i ndarë Bërçko, në veri. Ky organizim funksionon sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftimeve në këtë republikë të ish-Jugosllavisë.

Në këto zgjedhje, vëmendje të madhe mori edhe Republika Srpska. Dodik garoi për president, por nuk synoi mandat të dytë në presidencën trepalëshe. Si Dodik, ashtu edhe rivalja Jellena Triviç pretendojnë fitore. Gjatë ditës priten rezultate më të përditësuara. Dodik mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë. Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Dodikun në vitin 2017 e sërish në janar të këtij viti, për shkak të përpjekjeve të tij për ndarjen e Bosnjës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48174 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE