Kryeministri Rama: Rritje 7% e pagës për pedagogët, pjesën tjetër e vendos universiteti!

vovalbania October 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kryeministri Rama: Rritje 7% e pagës për pedagogët, pjesën tjetër e vendos universiteti!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për pedagogët do të ketë rritje prej 7% të pagës, por pjesa tjetër do të lihet në vendimmarrjen e universiteteve, të cilat janë autonome. Gjatë një aktiviteti në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Rama i ktheu përgjigje pedagogëve, në protestë për rritjen e pagës.

Nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo pension fiks, ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ja bënë vetes rrogën edhe 2-fish, edhe 3-fish edhe 4-fish edhe 5-fish me fondet e tjera.

Këtu ka një histori tjetër të pagave të deklaruara pjesërisht. Kemi paga që nuk përkojnë me të vërtetën. Kjo është temë tjetër. Sa shumë potencial ka universiteti. Këtu ka një fakt. Përpara se të futeshim në procesin e ndërkombëtarizimit dhe lidershipi i universitetit të Tiranës të ndryshonte, ne kishim 45 pedagogë që kishin pasur një akses në fondet europiane me projekte. Sot universiteti i Tiranës ka rreth 800 pedagogë, ku mbi 400 kanë financim ekstra te fondet e BE-së.

Kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrim shumë më tepër, por ama ishim të fundit në fund të pusit. Sot s’jemi te të parët, por jemi duke hedhur hapa, falë angazhimit të rektorëve. Ne do të bëjmë një rritje pagash të mërkurën kur është mbledhja e qeverisë, prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vetë. Nuk mund të ketë një pagë për të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Universiteti është autonom. Zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit si mbështetës dhe tregut si ofertues.

Tani të jesh një komunitet që vetëqeverisesh e të thuash që “unë autonominë e dua për të mos dhënë asnjë llogari askujt, ama të gjitha të tjerat i dua nga ty o shtet e nga ty o qeveri”, kjo nuk bën sens. Nuk bën asnjë sens, është absurde dhe për më tepër të kërkohen sot qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë. Këtu, në këtë universitet, kush investon sot në dije, i jep vetes mundësi që jo në Shqipëri, po në çdo vend të botës të jetë i vlefshëm për gjithë pjesën tjetër të jetës sepse bota nuk po shkon drejt lehtësimit, po shkon drejt dhimbjeve, lehtësimi do vijë më vonë. Kjo është e vërteta.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47880 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE