Komuniteti Politik Europian, çfarë u arrit në takimin e parë?

vovalbania October 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Komuniteti Politik Europian, çfarë u arrit në takimin e parë?

Në Pragë, liderët e thuajse të gjitha vendeve europiane, mes tyre kryeministri Rama, iu bashkuan takimit inaugurues të Komunitetit Politik Europian. A është kjo vetëm një platformë tjetër diskutimesh apo një forum i dobishëm për arritjen e objektivave? Radio Evropa e Lirë analizon pikat kryesore.

Shumë njerëz, përfshirë disa zyrtarë nga vende të ndryshme europiane, paraprakisht pyetën veten se cili ishte qëllimi i këtij takimi? Ishte diçka e panjohur ose siç u shpreh një diplomat, “një kanavacë bosh”. Përveç kësaj, a nuk ka mjaft samite, institucione dhe organizata që bëjnë bashkë politikanët e kontinentit? Me sa duket, jo!

Duke gjykuar nga udhëzimet dhe deklaratat zyrtare, konkluzioni duket se tregon që Komuniteti Politik Europian ishte me të vërtetë diçka pozitive dhe se liderëve u pëlqeu formati “më i lirë”, në të cilin të gjithë dukej sikur haseshin me njëri-tjetrin në labirintin e korridoreve në Kështjellën e Pragës. Askush nuk e vuri në dyshim dobinë e tij, të paktën nga jashtë.

Pra, çfarë është Komuniteti Politik Europian? Nuk pati asnjë deklaratë përfundimtare; ende nuk ka një strukturë të vërtetë, as buxhet, as sekretariat apo sa i përket çështjes, as flamur dhe logo. Kryeministri çek, Petr Fiala e përshkroi si “platformë joformale”, duke vënë në dukje se “ky komunitet politik ofron një hapësirë për të diskutuar të gjitha llojet e çështjeve aktuale midis vendeve që rrallë herë takohen mes tyre”. Këtij komuniteti, presidenti francez, Emmanuel Macron, iniciator i nismës, iu referua si “mundësi për të ndërtuar një intimitet strategjik në Europë”.

A u arrit vërtet diçka?

Së pari, që ka kuptim të vazhdojë nisma. Së dyti, tre vendtakimet e ardhshme: kryeqyteti moldav i Kishinauit në maj 2023, ndjekur nga Spanja më vonë gjatë vitit të ardhshëm e në Mbretërinë e Bashkuar, në gjysmën e parë të 2024-ës. U ra dakord për rotacion midis 27 anëtareve të Unionit e 17 shteteve jashtë BE-së.

Por, arritja e tretë e më e rëndësishmja, ndoshta ishte vetë takimi ose të paktën, vlera simbolike e tij. Mes luftës në Ukrainë, më e madhja në kontinent në dekadat e fundit, të gjithë të ftuarit u paraqitën, edhe pse mund të mos binin dakord për shumë çështje. Kur historianët shohin foton e përbashkët të bërë në Pragë, bien në sy dy përjashtime të bujshme: Bjellorusia e Rusia. Vetëm ky imazh tregon shumë.

Sa i përket atyre vendimeve që u morën në të vërtetë, gjithçka ishte mjaft e paqartë. Për samitin e ardhshëm në Moldavi, liderët do të punojnë në “projekte të përbashkëta”.

Ndërsa nuk kishte gjë konkrete, Macron vuri në dukje disa fusha ku ai mendon se është e mundur të ketë më shumë bashkëpunim:

Të sigurohet infrastruktura kyçe si tubacionet, kabllot dhe satelitët; rritja e kapaciteteve ndaj sulmeve kibernetike; krijimi i një fondi mbështetës për Ukrainën; hartimi i një politike të përbashkët energjetike pan-europiane dhe të shqyrtohet mundësia për të pasur më shumë shkëmbime universitare e studentore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47863 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE