Putin akuzon Ukrainën për “akt terrorizmi” në Urën e Krimesë

vovalbania October 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusia: Tre persona të vdekur pas shpërthimit në urën e Krimesë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Ukrainën për sulmin në Urën e Krimesë dhe e ka konsideruar atë akt si “terrorizëm”.

Putin ka thënë se forcat ukrainase të inteligjencës kanë pasur synim që të shkatërrojnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës civile të Rusisë.

Ai i ka bërë këto deklarata në një takim me shefin e Komitetit Hetues të Rusisë, Alexander Bastrykin.

Më herët gjatë ditës, Rusia ka rritur sigurinë në këtë urë – të vetmen që e lidh me Gadishullin ukrainas të Krimesë – pas shpërthimit të fuqishëm të 8 tetorit në të.

Për pasojë janë shkatërruar disa segmente të urës.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Presidenti Putin ka urdhëruar Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që të mbikëqyrë urën lidhëse.

Sipas hetuesve rusë, tre persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit.

Zyrtarët kanë thënë se kanë nisur menjëherë punimet për të rregulluar segmentet e dëmtuara rrugore.

E konsideruar nga mediat ruse si “ndërtimi i shekullit”, ura është konsideruar kyçe për bartjen e pajisjeve ushtarake, municionit dhe ushtrisë, në jug të Ukrainës, prej shpërthimit të luftës në këtë shtet, në fund të muajit shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45404 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE