Komisioni Europian: Ballkani Perëndimor me progres e dështime!

vovalbania October 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Komisioni Europian: Ballkani Perëndimor me progres e dështime!

Pas dy ditësh, Komisioni Europian miraton paketën vjetore të zgjerimit dhe progres-raportet për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces. Sipas burimeve të BE-së në Bruksel, këtë vit, dokumentet do të jenë një përzierje e elementeve pozitive, por edhe e shqetësimeve për mungesë të progresit në disa fusha, si dhe e disa dështimeve.

Si zhvillimin kryesor pozitiv në procesin e zgjerimit të Bllokut me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian pritet të përmendë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me vite, dy shtetet kandidate ishin në pritje të nisjes së negociatave, edhe pse sipas Komisionit Europian, i patën të përmbushura të gjitha kushtet. Në verë, Bullgaria hoqi pengesën e fundit ndaj Maqedonisë së Veriut, lidhur me me disa mosmarrëveshje rreh gjuhës e identitetit. Rrjedhimisht u hap rruga për Shqipërinë, meqë dy vendet nuk ishin të ndara në proces.

Përmes raportit të progresit, Komisioni Europian pritet të konfirmojë se Kosova vazhdon të përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave me vendet europiane dhe se Komisioni i mbetet qëndrimit se vizat duhet të hiqen. Brukseli zyrtar synon të ftojë Kosovën dhe Serbinë të shënojnë përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, që do të çonte drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Për pothuajse të gjitha shtetet e rajonit pritet të përsëritet apeli për më shumë përparim në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, reformat e gjyqësorit dhe lirinë e mediave. Ndonëse ka një lloj progresi në këto fusha, Komisioni Europian vlerëson se në të shumtën e rasteve zbatimi i reformave është në fazën fillestare. Në këto dokumente, Komisioni Europian do të raportojë edhe për sfidat e vendeve të rajonit në furnizimin me energji elektrike, si dhe për bashkëpunimin e tyre me BE-në në këtë drejtim.

Kureshtja më e madhe e diplomatëve në Bruksel ka të bëjë me mënyrën si do t’i formulojë Komisioni Europian kritikat ndaj Serbisë që refuzon sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Një vend tjetër i rajonit me fokus të veçantë në paketën e zgjerimit është edhe Bosnja.

Për të, Komisioni pritet të shprehë zhgënjim për dështimin e forcave politike në arritjen e marrëveshjes për reformat e sistemit zgjedhor, si dhe për ato të kufizuara kushtetuese. Raportet vjetore të progresit analizojnë në detaje arritjet e secilit vend në fushat dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE