Komisioni Europian rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjen!

vovalbania October 12, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Komisioni Europian rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjen!

Komisioni Europian rekomandoi sot që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, tha se vendimi final pritet të merret në muajin dhjetor. Varhelyi foli në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, ku prezantoi paketën vjetore të zgjerimit të BE-së.

Rekomandimi për Bosnjën është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe emigracionin. Paraprakisht, Kolegji i Komisionerëve Europianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor e Turqinë.

Në paketën e zgjerimit, Brukseli zyrtar vë fokusin te sundimi i ligjit, reformat e administratës dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Po ashtu, vend të veçantë zënë ndikimet në vendet e Ballkanit Perëndimor të agresionit rus në Ukrainë.

Paketa përmban edhe raportime për zbatimin e planit europian për investime në rajon, situatën në sektorin e energjisë, agjendën e gjelbër europiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë e për përshtatjen e këtyre vendeve me politikat e BE-së, sidomos në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në këtë raport, Kosova vlerësohet për disa përparime në fusha të ndryshme, por i kërkohet më shumë punë e progres në zbatimin e reformave.

Përsëritet se Komisioni Europian mbetet në qëndrimin se Prishtina i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Gjatë fjalimit, edhe Varhelyi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nga të dyja vendet kërkohet t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog.

Serbisë i adresohen kritika për zvogëlimin e përafrimit të qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Beogradi vazhdon t’i refuzojë. Raporti thekson se “me një numër deklaratash e veprimesh, Serbia del kundër Unionit në politikën e jashtme”.

Në paketën e zgjerimit konstatohet, se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që më shumë se kurrë, të ndihet nevoja e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Çdo vit, Komisioni Europian miraton paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces. Shtetet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit. Më së shumti përparim ka shënuar Mali i Zi, i cili i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Serbia e pason, por këtë vit nuk ka hapur asnjë kapitull të ri. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe tani është në pritje të vendimit përfundimtar për statusin e vendit kandidat.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47838 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE