Fiton rezoluta shqiptaro-amerikane pro Ukrainës në OKB, Asambleja e miratoi me 143 vota!

vovalbania October 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Fiton rezoluta shqiptaro-amerikane pro Ukrainës në OKB, Asambleja e miratoi me 143 vota!

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dënimin e aneksimeve ruse të disa rajoneve të Ukrainës, pasi Moska vuri veton në Këshillin e Sigurimit, duke e bllokuar. Rezoluta e propozuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë kaloi me 143 vota. Pesë vende votuan kundër, ndërsa 35 abstenuan, përfshirë Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut e Pakistanin.

Ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha e quajti një rezultat historik votimin pro të 143 shteteve, të cilët sipas tij, i thanë jo luftës në Ukrainë. Diplomati vuri në dukje se “përmendja e dëshpëruar dhe artificiale e rastit të Kosovës (& Tajvanit) nuk e mbrojti Rusinë nga një disfatë dërrmuese. 143 vende i thanë një JO të fuqishme luftës, JO referendumeve të rreme, JO aneksimit të territorit.

Një rezultat historik. Përmendja e dëshpëruar dhe artificiale e rastit të Kosovës (& Tajvanit) nuk e mbrojti Rusinë nga një disfatë dërrmuese. 143 vende i thanë një JO të fuqishme luftës, JO referendumeve të rreme, JO aneksimit të territorit. #QëndroniMeUkrainën.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se vendimet ruse për tentativën e aneksimit duhet të anulohen dhe theksoi se Rusia duhet të tërheqë forcat nga i gjithë territori ukrainas. Në një mesazh po në Twitter, kryediplomati i Kievit shprehu mirënjohje për 143 vende anëtare të OKB-së që me votë mbështetën rezolutën.

Mirënjohës ndaj 143 vendeve anëtare të OKB-së që mbështetën rezolutën e OKB-së “Integriteti territorial i Ukrainës: Mbrojtja e Parimeve të Kartës së OKB-së”. Kërkesa është e qartë: vendimet ruse për tentativën e aneksimit duhet të anulohen; Rusia duhet të tërheqë forcat e saj nga i gjithë territori i Ukrainës.

Më herët, aleatët e Ukrainës në NATO njoftuan se do të dërgojnë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe tjetër ndihmë ushtarake, që Kievi të mbrohet nga sulmet ajrore ruse. Rusia nisi një valë të re bombardimesh, duke goditur disa rajone e qytete, përfshirë Kievin. Këto sulme janë në shenjë hakmarrjeje për shpërthimin në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47417 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE