Këshilli i BE-së diskuton mbi liberalizimin e vizave për Kosovën!

vovalbania October 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Këshilli i BE-së diskuton mbi liberalizimin e vizave për Kosovën!

Liberalizimi i vizave për Kosovën, sot për herë të parë është në rendin e ditës së grupit të punës së Këshillit të Bashkimit Europian për vizat. Në letrat dërguar shteteve anëtare të Unionit, presidenca çeke theksonte dëshirën që në këtë takim të shihet nëse ekziston mbështetja e duhur e delegacioneve të shteteve anëtare për të lëvizur drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Delegacionet që marrin pjesë janë njohur edhe me një letër të Komisionit Europian ku në detaje përmenden rezultatet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Për herë të parë, Komisioni Europian pati rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2018. Edhe një ditë më parë, në progres-raportin për Kosovën, KE-ja rikonfirmoi se “mbetet në fuqi rekomandimi për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimi se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret”.

Ndërkohë, presidenca çeke deklaroi:

Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të Unionit është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme të shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimit të Kosovës në BE, tashmë shumë i vonuar. Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka siguruar regjim pa viza me BE-në.

Diskutimet në grupin e punës së Këshillit janë vetëm fillimi i procedurës në këtë institucion të BE-së. Aktualisht, në Bruksel nuk duan të përmendin afate kohore se kur mund të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave. Por, nëse do të ketë marrëveshje të shteteve anëtare, atëherë do të nisë diskutimi ndërmjet Këshillit, Parlamentit e Komisionit.

Kryeministri Albin Kurti shprehet optimist se takimi në Këshill mund të sjellë rezultate. Por, në dallim nga shefi i qeverisë së Prishtinës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka preferuar të jetë “optimiste e kujdesshme”. Ajo shtoi se sheh vullnet politik te liderët e BE-së që kjo çështje të mos bllokohet.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48480 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE