Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, bombardime edhe në Mikolaiv!

vovalbania October 13, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, bombardime edhe në Mikolaiv!

Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës kritike në Kiev, si dhe nisi bombardime masive në qytetin jugor të Mikolaivit.

Një ndërtesë pesëkatëshe banimi u godit në Mikolaiv. Dy katet e sipërme u shkatërruan plotësisht, ndërsa pjesa tjetër e godinës është nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje.

Mikolaiv, qytet-port buzë lumit Bug, pranë Detit të Zi ka qenë shënjestër e bombardimeve të ashpra që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Sulmet e reja vijnë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën shqiptaro-amerikane që e quan “ilegal” aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia. Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sulmet u kryen me dronë të prodhuar nga Irani e që njihen si “dronë kamikazë”. Kyrylo Tymoshenko, nënkryetar i Zyrës Presidenciale të Ukrainës deklaroi se dronët goditën ndërtesa të infrastrukturës kritike.

Rusia sulmoi edhe qytetin jugor të Nikopolit, në rajonin e Dnipropetrovskit, sipas kreut të administratës rajonale, Valentyn Reznichenko.

Një person u plagos rëndë, ndërsa mbi 30 ndërtesa, tubacione gazi e linja elektrike u dëmtuan. Mbi 2 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Po punohet për rikthimin e saj.

Serbia mbështet rezolutën e OKB-së

Një ditë më parë, më shumë se tre të katërtat e 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan në favor të rezolutës shqiptaro-amerikane që e quan ilegale aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia. Ndër shtetet që mbështetën dokumentin ishin edhe Serbia, që bashkë me Turqinë, refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Moskës. Edhe në të kaluarën, Beogradi ka votuar për rezoluta të ngjashme që dënonin pushtimin rus të Ukrainës, por i reziston thirrjeve të Perëndimit për t’i vënë sanksione Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shpreh:

Mirënjohës ndaj 143 shteteve që mbështetën rezolutën historike të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përpjekjet e Rusisë për aneksim janë të pavlera.

Rezoluta dënon organizimin e të ashtuquajturave referendume nga Federata Ruse brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht . Po ashtu, dënohen “përpjekjet për aneksim ilegal” të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut e Luhanskut. Shteteve të OKB-së e agjencive ndërkombëtare iu apelon të mos njohin ndryshimet e njoftuara të kufijve nga Rusia dhe Moskës i kërkohet “që menjëherë të zhbëjë” këto vendime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se votimi i kësaj rezolute tregon unitetin ndërkombëtar kundër Rusisë dhe përsëriti se “Uashingtoni kurrë nuk do të njohë referendumet e rreme ruse”.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzia, u shpreh se rezoluta ishte “e politizuar dhe provokim i hapur”.

Kjo rezolutë mund të shkatërrojë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45407 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE