23 të mitur mes protestuesve të vrarë në Iran!

vovalbania October 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
23 të mitur mes protestuesve të vrarë në Iran!

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International bën të ditur se të paktën 23 të mitur janë në mesin e 201 të vrarëve në Iran, gjatë protestave masive. Manifestimet shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një të reje në paraburgim, e ndaluar nga Policia e Moralit me pretendimin se shkeli rregullat e mbajtjes së hixhabit apo shamisë së kokës. Në një deklaratë të publikuar sot, theksohet:

Vrasja e paligjshme e të paktën 23 të miturve nga forcat e sigurisë së Iranit, hedh më shumë dritë mbi vendosmërinë e autoriteteve për të shtypur pakënaqësitë, protestat, që u nxitën nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Mahsa Amini, më 16 shtator. Më pas, këto protesta u rritën në atë që shumë në Iran thonë se është rebelim më i gjerë ndaj udhëheqjes së Republikës Islamike.

Po ashtu, Amnesty publikoi emrat e rrethanat e vrasjes së të miturve, ndërsa konfirmoi se mes tyre janë 20 djem të moshave 11-17 vjeç dhe tre vajza, dy prej tyre 16 e 17-vjeçe.

Shumica e të vrarëve u qëlluan nga forcat e sigurisë, ndërsa tre vajza dhe një djalë u dhunuan fizikisht për vdekje. Dhjetë nga viktimat i përkisnin minoritetit baluçi dhe u ekzekutuan nga forcat e sigurisë më 30 shtator, në ditën më vdekjeprurëse të protestave në Zahedan.

Heba Morayef nga Amnesty International:

Forcat e sigurisë së Iranit kanë vrarë të paktën dhjetëra fëmijë në përpjekje për të shtypur shpirtin e rezistencës, në mesin e të rinjve të guximshëm të vendit. Shtetet anëtare në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara duhet që urgjentisht të mbajnë një takim të posaçëm për miratimin e një rezolute për hetim të pavarur ndërkombëtar dhe për të ngritur mekanizma për llogaridhënie në Iran.

Në fillim të kësaj jave reagoi edhe agjencia UNICEF-i, që përmes një deklarate u shpreh “jashtëzakonisht e shqetësuar” lidhur me raportimet se “fëmijët dhe adoleshentët po vriten, plagosen e arrestohen në Iran”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47779 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE