Presidenti amerikan Biden apelon të ndalet dhuna ndaj protestuesve në Iran!

vovalbania October 15, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti amerikan Biden apelon të ndalet dhuna ndaj protestuesve në Iran!

Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje liderëve në Iran që të ndalin dhunën kundër qytetarëve në Republikën Islamike. Gjatë një fjalimi në Kolegjin e Komunitetit Irvine Valley në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi:

Gratë duhet të jenë në gjendje që në emër të Zotit, të veshin atë që duan të veshin!

Presidenti Biden u shpreh “i shtangur” nga protestat masive në Iran, manifestime që shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes në paraburgim të një të reje, e cila ishte ndaluar nga Policia e Moralit me pretendimin se “shkeli rregullat e mbajtjes së hixhabit” apo shamisë së kokës.

Dua të dini se ne qëndrojmë me qytetarët, me gratë e guximshme të Iranit.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përshëndeti guximin e protestuesve anti-qeveritarë në Iran. Një ditë më parë, kryediplomati i Uashingtonit priti aktivistë me origjinë iraniane. Republika Islamike është përfshirë në një revoltë popullore, e nxitur nga vdekja në paraburgim e një vajze 22 vjeçe. Mahsa Amini ra në koma disa orë pasi u arrestua në Teheran nga Policia e Moralit, më 13 shtator. Tre ditë më pas, ajo ndërroi jetë në spital.

Familjarët e Aminit, të mbështetur nga të tjerë iranianë nuk kanë dyshime se e reja humbi jetën si pasojë e dhunës fizike nga policia, duke i shkaktuar infarkt kardiak. Protestat në Iran nuk ndalen dhe synojnë ngritjen e zërit kundër shtypjes vdekjeprurëse nga forcat e rendit. Sipas Kodit Islamik, në Iran, gratë duhet të mbajnë hixhab e rroba të gjera që ua fshehin format e trupit, si dhe përballen me të tjera kufizime të lirive njerëzore.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International bëri të ditur se të paktën 23 të mitur janë në mesin e 201 të vrarëve në Iran, gjatë protestave masive. Po ashtu, Amnesty publikoi emrat e rrethanat e vrasjes së të miturve në Iran, ndërsa konfirmoi se mes tyre janë 20 djem të moshave 11-17 vjeç dhe tre vajza, dy prej tyre 16 e 17-vjeçe. Dhjetë nga viktimat i përkisnin minoritetit baluçi dhe u ekzekutuan nga forcat e sigurisë më 30 shtator, në ditën më vdekjeprurëse të protestave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48166 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE