4 milion fëmijë të varfër në Europën Lindore e Azinë Qendrore!

vovalbania October 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
4 milion fëmijë të varfër në Europën Lindore e Azinë Qendrore!

Lufta në Ukrainë e rritja e inflacionit shtynë edhe katër milion fëmijë drejt varfërisë, në lindje të Europës e në Azinë Qendrore. Shifra jepet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF. Sipas raportit të publikuar sot, ekziston një rritje prej 19 për qind e fëmijëve që përballen me varfërinë.

Raporti i UNICEF-it u përpilua pas mbledhjes së të dhënave nga 22 shtete. Ndikimi i luftës ka qenë tejet i rëndë për fëmijët në Rusi e Ukrainë. Sipas studimit, në Rusi janë 2.8 milion të mitur që jetojnë në familje që gjenden nën kufirin e varfërisë. Në Ukrainë, gjysmë milion fëmijë janë në varfëri, të ndjekur nga Rumania, me 110 mijë.

Siç paralajmëron UNICEF, kjo rritje kaq e ndjeshme e numrit mund të rezultojë me 4 mijë e 500 vdekje të fëmijëve, para se të mbushin 1-vjeç, pra të shënojnë ditëlindjen e parë. Drejtori rajonal për Europën dhe Azinë Qendrore, Afshan Khan, tha se “pasojat ekonomike të luftës janë duke patur ndikim shkatërrues te fëmijët”.

Fëmijët e gjithë rajonit po përfshihen në këtë luftë. Nëse nuk mbështesim ata dhe familjet nga vijnë, rritja e shpejtë e varfërisë në mesin e fëmijëve do të rezultojë me humbje të jetëve, mungesë të mësimit e nuk do të ketë të ardhme. Një në tre fëmijë që ka lindur dhe rritet në varfëri do të kalojë rininë po në varfëri, duke çuar përpara në një cikël të vështirë. Ne duhet të mbrojmë e të zgjerojmë mbështetjen sociale për familjet e cënueshme, para se situata të bëhet më e rëndë.

Lufta në Ukrainë nisi në datën 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Mijëra persona humbën jetën dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48379 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE