Koreja e Veriut paralajmëron Seulin me predha artilerie!

vovalbania October 19, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Veriut paralajmëron Seulin me predha artilerie!

Me predha artilerie, Koreja e Veriut goditi në ujërat pranë kufirit me Korenë e Jugut, si paralajmërim për stërvitjet ushtarake të Seulit. Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, njofton:

Ushtria Popullore Koreane filloi të shtëna kërcënuese, paralajmëruese drejt ujërave lindorë e perëndimorë si kundërpërgjigje e fuqishme ushtarake.

Në deklaratë kërkohet që Seuli “të ndalë menjëherë provokimet nxitëse, të cilat përshkallëzojnë tensionet ushtarake në frontin e luftës”. Sipas Koresë së Jugut, vendi komunist hodhi më shumë se 250 predha artilerie në gjirin perëndimor e atë lindor, në zonën kufitare që ndan dy vendet.

Asnjë prej predhave nuk kaloi në ujërat territorialë të Koresë së Jugut.

Këtë javë, Seuli nisi stërvitjet ushtarake për mbrojtje, manovra të cilat do të vazhdojnë deri më 28 tetor. Por koreano-veriorët i konsiderojnë “veprime ushtarake të armikut, kundër veriut”. Situata në Gadishullin Korean është shumë e tensionuar. Koreja komuniste, shtet i pajisur me armë bërthamore, ka kryer disa testime raketore në javët e fundit.

Qeveria në Phenian theksoi se “testimet patën si synim që të simulojnë hedhjen e armëve bërthamore taktike në zonat e Koresë së Jugut”. Rezolutat e Kombeve të Bashkuara ia ndalojnë Koresë së Veriut testimin e të gjitha llojeve të raketave balistike, por udhëheqësi Kim Jong-Un nuk ndalet e vazhdon të sfidojë ndërkombëtarët.

Ekspertët ushtarakë janë të mendimit se Kim synon të përftojë një arsenal më frikësues për të ushtruar presion ndaj rivalëve, që ta pranojnë vendin e tij si një shtet legjitim bërthamor e të heqin sanksionet ekonomike. Po ashtu, pak ditë më parë, Koreja e Veriut dërgoi avionë luftarakë deri në 12 km në veri të kufirit, duke e shtyrë Korenë e Jugut të niste avionët e saj luftarakë.

Avionët e Koresë së Veriut fluturuan deri në 12 kilometra në veri të kufirit ndër-korean. Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se u përgjigj duke ndërguar avionë F-35 dhe avionë të tjerë luftarakë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48460 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE