Manastirliu: Nga 1 nëntori do të kryhet vaksina HPV!

vovalbania October 22, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Manastirliu: Nga 1 nëntori do të kryhet vaksina HPV!

Nga 1 nëntori, në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet kryerja e vaksinës HPV. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pranishme në një takim me gra që e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit.

Jam e gëzuar të them se nga data 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër humanpapillomavirusit.

Tashmë edhe ne kemi mundësinë që vajzat tona t’i vaksinojmë e të garantojmë deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës. Kjo është një fitore, të cilën e sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës.

Po ashtu, foli për mamografinë falas.

Me investimet në mamografitë afër vendbanimit, kemi arritur që sot të kryejnë mamografinë rreth 20 mijë gra/vit. Do të mundësojmë gjithashtu në kohë reale që nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm të kemi mundësi që të ecim më shpejt në raport me depistimin e hershëm të grave në grupmoshat +50 vjeç në zonat e thella e ato rurale të thella, për të mundësuar që targeti që kemi vendosur në Programin tonë Kombëtar të Depistimit të Hershëm të Kancerit të Gjirit ku synojmë që rreth 50 mijë gra në vit të bëjnë mamografinë, të jetë një objektiv i arritshëm.

Këtë vit synojmë që Njësitë e Kemioterapisë t’i shtrijmë në dy spitale. Tashmë e kemi hapur Njësinë e Kemioterapisë së re në Spitalin e Beratit. Brenda këtij viti hapet dhe në Spitalin e Korçës ku është angazhuar dhe mjekja onkologe nëpërmjet sistemit të bonusit për të ofruar shërbim në këtë spital.

Spitali Onkologjik bën një punë të lavdërueshme edhe me ngarkesë të plotë. Sigurisht tani ka ardhur koha që këtë dije ta transferojë në spitalet rajonale.

Për listën e barnave të rimbursueshme, Manastirliu bëri të ditur se buxheti i vitit 2023 do të ketë një rritje sa u përket barnave falas për sëmundjet kronike e tumoret.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48418 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE