Mirosllav Lajçak në Prishtinë, takim me kryeministrin Kurti!

vovalbania October 22, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mirosllav Lajçak në Prishtinë, takim me kryeministrin Kurti!

Sot në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti priti të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një vizitë që vjen disa ditë pas asaj të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor. Gabriel Escobar shprehej se ndër qëllimet e tij ishte edhe inkurajimi për intensifikimin e dialogut me Beogradin.

Pas Prishtinës, Escobar shkoi në Beograd për takime me presidentin Vuçiç dhe kryeministren Bërnabiç. Zyrtari i lartë i Uashingtonit u shpreh se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se nga kolegët europianë ka dëgjuar se bëhet fjalë për “çështje javësh e jo vitesh”.

Në një intervistë për televizionin kosovar, Kanal 10, Escobar u pyet mbi propozimin e Francës e Gjermanisë që thuhet se u është dorëzuar liderëve të Kosovës e Serbisë, për arritjen e marrëveshjes. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë propozim e çdo gjë që shtetet europiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, duke porositur Prishtinën dhe Beogradin ta marrin seriozisht dokumentin.

Sa i përket vizitës së Lajçakut, ajo shënohet në kohën kur po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez, në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë. Sipas raportimeve në media, dokumenti nuk përmend njohje reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Europian që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë akt. Ato janë Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia e Rumania.

Ndërkohë, të premten, në një takim me Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Kurti tha se është diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë.

Ditët e fundit, analistë dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare kanë vlerësuar se ka një ndryshim në qasjen ndaj dialogut e mund të ketë hapa drejt një akordi final. Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë një dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Megjithatë, këto dy shtete kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Nga njëra anë, Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, por Beogradi zyrtar pret zgjidhje kompromisi, ndonëse nuk detajon se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48465 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE