Zelensky: Rusia po paguan Iranin me ndihmë bërthamore!

vovalbania October 24, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zelensky: Rusia po paguan Iranin me ndihmë bërthamore!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se beson që Rusia mund të jetë duke paguar dronët iranianë, me ofrim të ndihmës për programin bërthamor të Iranit.

Duke iu adresuar një konference të organizuar nga e përditshmja izraelite, Haaretz, Zelensky ka përsëritur kërkesën e tij ndaj Izraelit për pajisje për mbrojtje raketore, “Kupola e Hekurt”.

“Ushtria ukrainase është duke mposhtur rusët në fushëbetejë, mirëpo fatkeqësisht, ne nuk kemi Kupolat tona të Hekurta. Ne ende nuk kemi një sistem raketor efektiv e modern që do të siguronte hapësirën tonë ajrore”, ka thënë ai.

“Pasi i kanë mbaruar raketat e veta, Rusia është duke kërkuar armë nga shtetet tjera”, ka thënë Zelensky.

“I ka gjetur në Iran. Kam një pyetje për ju: Si e paguan Rusia Iranin, sipas mendimit tuaj? A është Irani i interesuar në para? Me siguri që jo, por në ndihmën ruse për programin bërthamor të Iranit”, ka thënë ai.

Moska dhe Teherani kanë hedhur poshtë zërat për marrëveshje për armët, mirëpo ka të dhëna që qindra dronë, që Rusia ka nisur mbi Ukrainë, janë të prodhuar apo dizajnuar nga Irani.

Zelensky ka thënë se iranianët janë duke i trajnuar rusët si të përdorin dronët.

Prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, Izraeli ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, mirëpo jo edhe pajisje ushtarake, meqë shqetësohet se mund të dëmtojë lidhjet me Rusinë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47772 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE