615 milion euro dëm ekonomik konstatoi Kontrolli i Lartë i Shtetit!

vovalbania October 28, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
615 milion euro dëm ekonomik konstatoi Kontrolli i Lartë i Shtetit!

Në raportin e performancës për Buxhetin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH konstatoi afro 615 milion euro dëm ekonomik. Rreth 159 milion llogaritet dëm i pastër ekonomik, ndërsa pjesa tjetër i përket efekteve negative në buxhet, si pasojë e parregullsive në të ardhura e shpenzime. KLSH ngre shqetësimin e ndryshimeve të herëpas’hershme të buxhetit, gati 6 herë përmes akteve normative, vitin e kaluar.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga auditimet u konstatuan shkelje të disiplinës, si në performancën e administrimit të të ardhurave në zëra të caktuar, ashtu edhe në përdorimin joefiçent të fondeve publike. Shkeljet më të mëdha u evidentuan në fushën e prokurimit publik, me mangësi në përgatitjen e kontratave, zbatimin e tyre, dorëzimin në kohë të punimeve apo të tjera shkelje në tendera.

Edhe përgjatë 2021-shit, KLSH konstatoi problematika me koncesionet në shëndetësi lidhur me pagesat e shërbimeve të pakryera, duke sjellë efekt negativ për Buxhetin e Shtetit. Përgjatë vitit të kaluar, KLSH përcolli 14 kallëzime e indicie penale: 6 prej tyre në SPAK dhe 8 në prokuroritë e rretheve për 62 zyrtarë të niveleve të ndryshme.

Më herët, u prezantua një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH për menaxhimin e monumenteve të kulturës. Aty thuhet se të paktën 122 monumente nuk ekzistojnë më në vendin tonë. Po ashtu, dokumenti vë theksin te nevoja për ndërhyrje në të tjera monumente, për t’i kthyer në gjendje më të mirë. 884 paraqiten në gjendje të pranueshme, por kanë nevojë për restaurim.

Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e monumenteve të kulturës nuk e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në mënyrë efektive, me qëllimin final, mbrojtjen, miradministrimin, inventarizimin dhe vlerësimin e monumenteve në vendin tonë, me rezultatin e vetëm që 122 monumente nuk ekzistojnë, 122 monumente janë plotësisht të shkatërruara, 884 monumente në gjendje të pranueshme por kanë nevojë për restaurim, 745 objekte në gjendje të mirë dhe në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, 98 objekte të tjetërsuara, si dhe 15 objekte pa kartelë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE