Ndërron ora, nesër akrepat kthehen 60 minuta pas/Më shumë gjumë dhe errësohet më shpejt!

vovalbania October 29, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ndërron ora, nesër akrepat kthehen 60 minuta pas/Më shumë gjumë dhe errësohet më shpejt!

Këtë të diel, pra nesër, kthehet ora diellore që deri më 26 mars 2023 zëvendëson atë ligjore dhe në 03:00 të mëngjesit të 30 tetorit 2022, akrepat shkojnë 60 minuta pas, duke shënuar 02:00. Kjo do të thotë një orë gjumë më shumë, por humbasim 60 minuta dritë natyrale, errësohet më shpejt. Debatit gjithnjë e më aktiv në nivel europian mbi efektet e ndyshimit, këtë vit i shtohet edhe tema e kursimit të energjisë elektrike, përballë krizës që ka çuar në rritje të çmimeve, sidomos pas luftës ruse në Ukrainë.

Në vitin 2018, me 84% të votave, Parlamenti Europian u shpreh në favor të shfuqizimit të orës ligjore. Por, vendimi përfundimtar u la në dorë të secilit vend anëtar të Bashkimit Europian e deri tani, asnjë prej tyre nuk është shprehur në mënyrë përfundimtare.

Mes arsyeve që disa shtete janë pro shfuqizimit të orës ligjore, ka të bëjë me efektet negative që ndryshimi i orës sjell në organizëm. Ora e brendshme, e cila rregullon ekuilibrat në trupin e njeriut, ndikohet nga ky ndryshim.

Prania më e vogël e dritës natyrale, vlerësohet se ka impakt negativ sidomos te individët më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e të moshuarit. Mes efekteve, ndjesia e lodhjes, mungesa e përqendrimit, çrregullime të gjumit, irritim e humor jo i mirë. Por, këto janë shqetësime kalimtare, të cilat zgjasin pak ditë.

E në fakt, për t’iu përshtatur sa më mirë orarit të ri, mjafton të mos heqim dorë nga zakonet e ditës. Nëse jemi mësuar që darkën ta konsumojmë në orën 20:00 apo të flejmë më 23:00, mirë është t’iu përmbahemi pa menduar për “orën e vjetër”. Edhe në këtë rast, përshtatja nuk do të vonojë.

Në Europë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin më pak energji elektrike.

Si ligj europian u vendos nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Në mënyrë të qëndrueshme, norma europiane përcakton datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur akrepat shkojnë 60 minuta përpara) dhe përfundimin e saj (kur shkon një orë pas). Respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48303 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE