Tërheqja ruse nga marrëveshja, “fluturon” çmimi i grurit në tregjet globale!

vovalbania October 31, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tërheqja ruse nga marrëveshja, “fluturon” çmimi i grurit në tregjet globale!

Në tregjet ndërkombëtare “fluturoi” çmimi i grurit, pas njoftimit të Rusisë për të pezulluar marrëveshjen me Ukrainën, për transportin e sasive nga portet ukrainase, përmes Detit të Zi. Kjo pas sulmeve që pësoi flota ruse në Sebastopoli. Aspak premtuese situata edhe për misrin e vajin e palmës. Megjithatë, falë ndërhyrjes së OKB-së e të Turqisë, Moska u bind që vetëm sot të lejonte kalimin e 12 anijeve. Për të plotësuar nevojat në tregjet globale ku çmimet po “kapin majat”, delegacionet e OKB-së e të Ankarasë vunë në dispozicion dhjetë skuadra inspektorësh për të kontrolluar anije në Detin e Zi.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dëshiron të shpëtojë marrëveshjen për eksportet e grurit nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi, të cilën Moska e pezulloi pas sulmeve me dronë në flotën e saj në zonë. Pa hyrë në detaje, zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric deklaroi:

Guterres është thellësisht i shqetësuar e po zhvillon kontakte intensive me qëllim heqjen e pezullimit të akordit.

Po ashtu, nuk ndalen sulmet ruse në Kiev e të tjera rajone ukrainase. Disa ndërtesa u bombarduan. Në qytetin jugor, Marhanets, raketat e trupave të Moskës goditën objekte banimi e një shkollë të mesme. Ndërkohë, mbrojtja ajrore ukrainase është aktive në kryeqytetin Kiev ku disa zona janë pa energji elektrike. 350 mijë shtëpi po përballen me mungesën e saj e rreth 80% e banorëve të Kievit nuk po furnizohen me ujë, në një situatë që sa vjen e rëndohet.

Sa i përket sulmeve, sot në ditën e 250-të të luftës ruse, gjithashtu, dy raketa shënjestruan “objekte të infrastrukturës kritike” në Kharkiv, i dyti qytet më i madh i Ukrainës.

Në përditësimin e fundit në Twitter, Ministria e Mbrojtjes në Londër, deklaron se “në shtator, zyrtarët rusë ishin të shqetësuar se disa rezervistë të sapomobilizuar shkuan në Ukrainë pa armë”.

Integrimi i rezervistëve me kontrata të ushtarëve dhe veteranëve në luftën në Ukrainë, nënkupton se logjistika ruse duhet të shtojë dy lloje armësh në pozicionet luftarake e jo vetëm një. Kjo pritet të ndërlikojë edhe më shumë sistemet e tendosura logjistike të Rusisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47417 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE