Dhëndri i ish-zv/ministrit socialist kandidaturë unike e Metës, Berishës dhe Ramës kundër Erion Veliajt, PD zyrtare gati emrin surprizë për Bashkinë e Tiranës

vovalbania November 02, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Dhëndri i ish-zv/ministrit socialist kandidaturë unike e Metës, Berishës dhe Ramës kundër Erion Veliajt, PD zyrtare gati emrin surprizë për Bashkinë e Tiranës

Ende pa u afruar fushata zgjedhore, ka plasur debati dhe lufta e nëndheshme se kush do të marrë drejtimin e Tiranës. Deri më 6 nëntor, të gjithë kandidatët që do marrin pjesë në Primaret e brendshme të “Foltores” duhet të kenë dorëzuar dokumentacionin. Kur kanë mbetur 4 ditë nga mbyllja e këtij afati, deri më tani vetëm 2 kandidatë janë regjistruar. Belind Këlliçi dhe Gerti Bogdani shpalosën ambicien e tyre për të qenë kandidatë të opozitës në garën për bashkinë e tyre. Mjeku Ilir Alimehmeti është përfolur dhe nuk e ka mohuar kandidimin prej disa javësh dhe pritet të jetë kandidat. Po ashtu, edhe aktori Julian Deda ishte përfolur më herët dhe me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka konfirmuar që edhe ai pritet të marrë pjesë në primare. Pra kjo do të jetë një garë mes katër personaliteteve me profile të ndryshme. Nga ana tjetër, gazeta “SOT” ka mësuar nga burime të brendshme nga selia blu se Partia Demokratike zyrtare e Alibeajt do të dalë me një emër shumë të njohur të politikës shqiptare për të marrë drejtimin e Tiranës. Por çfarë po luhet në prapaskenë? Gjithçka mund të përfundojë në një pazar, pasi në krye të Bashkisë së Tiranës, kandidati më i favorizuar nga Meta-Berisha dhe kryeministri Rama për të rivalizuar Erion Veliajn është Belind Këlliçi. Pra më shumë se sa kandidat i PD-së, Këlliçi do të jetë kandidat edhe i Ramës kundër Veliajt.

Luftë e fortë për të marrë Tiranën

Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015. Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike. Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores. Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD. Gjithashtu, marrëdhënia e tij e mirë me Ilir Metën ka ndikuar për përzgjedhjen si kandidat për Tiranën. Por jo vetëm kaq.

Skema e Ramës

Nga mbrapa Këlliçi nuk ka vetëm mbështetje të fortë Berishën dhe Metën, por edhe një pjesë të strukturave socialiste me në krye vetë kryeministrin Rama. Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pas publikimit të listës së pagave, Reshard Këlliçi rezultoi i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra. AlbGaz është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku. Pra në këtë situatë kryeministri Rama mund të përdorë të njëjtën skemë që ndoqi me Sali Berishën, të cilit i dha Bashkinë e Shkodrës nëpërmjet Tom Doshit. Edhe me Bashkinë e Tiranës, Rama do e kandidojë Erion Veliajn, i cili është i mbështetur fuqishëm nga ndërkombëtarët, por në prapaskenë vota do të orientohet drejt Këlliçit.

Çfarë tregojnë sondazhet?

Këlliçi ka filluar ta ndiejë frikën e një kandidimi të mundshëm të mjekut Ilir Alimehmeti për Bashkinë e Tiranës, pasi sondazhet që janë zhvilluar deri më tani në disa media shqiptare nxjerrin fitues bindshëm Alimehmetin. Ka patur dhe sondazhe ku ka patur ndërhyrje të fortë nga strukturat e PS. Vetë organizatorët  kanë treguar se në momentin kur mjeku Alimehmeti ka marrë vota me një diferencë të thellë, rezultatet kanë ndryshuar në mënyrë drastike nga ndërhyrjet e politikës.

PD zyrtare gati emrin surprizë për Bashkinë e Tiranës

Nga ana tjetër, Partia Demokratike zyrtare po përgatit surpriza për Bashkinë e Tiranës.  Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, është shprehur para pak ditësh se kjo forcë politike do të ketë kandidatët e saj në zgjedhjet e vitit 2023. Burime i thanë gazetës “SOT” se për të sfiduar Erion Veliajn, PD zyrtare pritet të kandidojë një emër surprizë për Bashkinë e Tiranës. “PD do të hyjë në zgjedhjet lokale të 2023. Ka vetëm një subjekt ligjor me emrin PD, ky subjekt ligjor që drejtoj do marrë pjesë në zgjedhje”, tha Alibeaj. Më tej demokrati theksoi se, PD-ja do të testohet edhe vetë në zgjedhjet lokale, ndërsa nuk do të donte kurrë që të përsëritej 6 marsi. “Ne do të testohemi edhe vetë në zgjedhjet lokale. Nuk do doja kurrë të përsëritej 6 marsi, në 6 mars votuesit kanë pasur një kandidat të PD, ndërsa kandidati tjetër i opozitës ishte me një tjetër sigël. Demokratet duhet të kenë një kandidat në zgjedhje, lëvizjet për të nxjerrë kandidatë të tjerë, nuk i shërbejnë PD-së. PD është një subjekt dhe duhet të nxjerrë një kandidat. Duhet bashkim i demokratëve dhe i qytetarëve, ne nuk e kemi luksin të kemi kandidatë të tjerë në garë”, deklaroi më tej Alibeaj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45358 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE