Mbi 600 mijë të izoluar në Kinë, në zonën rreth fabrikës që prodhon iPhone!

vovalbania November 02, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 600 mijë të izoluar në Kinë, në zonën rreth fabrikës që prodhon iPhone!

Një vatër e re shpërthimi e koronavirusit, mjaftoi që Kina të vendosë në izolim një zonë me 600 mijë banorë në qytetin Zhengzhou, pikërisht aty ku gjendet fabrika më e madhe në botë për prodhimin e telefonave iPhone, të kompanisë amerikane, Apple. Nga zyrtarët, u dha një urdhër i prerë që të gjithë njerëzit, me përjashtim të punëtorëve të domosdoshëm e vullnetarëve të angazhuar në përpjekjet për parandalimin e COVID-it, “nuk duhet të largohen nga shtëpitë e tyre”.

Në rrjetet sociale kineze u publikuan pamje ku janë parë njerëz duke u larguar nga fabrika që drejtohet prej gjigantit tajvanez, Foxconn dhe prodhon produkte për kompaninë Apple. Madje, disa punëtorë u ankuan për kushte të rënda, mungesë të furnizimeve, si dhe se u është dashur të ikin nga fabrika në këmbë, për të shmangur kufizimet që ekzistojnë në transportin publik. Foxconn punëson qindra mijëra punëtorë në Zhengzhou.

Kina, aty ku edhe koronavirusi u shfaq për herë të parë, rreth tre vjet më parë, në dhjetor të 2019-ës, gjithashtu është ndër vendet e fundit në botë që zbaton strategjinë e zero rasteve me COVID. Autoritetet kineze vazhdojnë të vendosin masa izolimi e po ashtu të kryejnë testime masive të popullatës, me qëllim shmangien e shpërthimeve masive të virusit.

Por, variantet e reja kanë testuar aftësitë e zyrtarëve lokalë për të parandaluar koronavirusin para se të përhapet, ndaj një pjesë e mirë e popullsisë në Kinë është duke jetuar nën kufizime të vazhdueshme. Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Deri tani, më shumë se 6.5 milion njerëz kanë humbur jetën prej shpërthimit të kësaj pandemie në nivel global.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë në krye, duke regjistruar numrin më të madh të viktimave e të të infektuarve, të ndjekura nga India e Brazili.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47880 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE