Rritet për të dytin tremujor kostoja e borxhit të brendshëm!

vovalbania November 03, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rritet për të dytin tremujor kostoja e borxhit të brendshëm!

U rrit për të dytin tremujor radhazi Yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, duke reflektuar rritjen e shpejtë të normave të interesit në tregun financiar vendas. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit shtator yield-i mesatar i të gjitha instrumenteve arriti në 3.72%, nga 3.55% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.5% në fund të tremujorit të parë.

Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 3.87%, nga 3.71% që kishte qenë në mesin e këtij viti. Për nëntë muajt e parë të vitit, buxheti ka shpenzuar 21.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, shumë kjo 7% më e lartë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Ndërkohë, në segmentin e borxhit të jashtëm, rritja e shpenzimeve për interesa është më e kufizuar, në masën 2%. Kryesisht, kjo ndodh sepse në pjesën më të madhe borxhi i jashtëm është siguruar nëpërmjet instrumenteve afatgjata me kupon fiks, ndaj rritja e yield-eve në tregjet e huaja është reflektuar në mënyrë më të kufizuar dhe ka ardhur sidomos nga portofoli i kredive me interesa të ndryshueshëm.

Përveç rritjes së yield-it mesatar, borxhi i brendshëm është përballur me një ulje të kohëzgjatjes mesatare të maturimit. Në fund të shtatorit, maturiteti mesatar zbriti në 830 ditë, nga 850 ditë që kishte qenë në fund të muajit qershor. Pjesërisht, kjo rënie ka ardhur për shkak të vështirësive për të realizuar shumat e planifikuara të huamarrjes nëpërmjet obligacioneve dhe zëvendësimit të tyre me huamarrje afatshkurtër nëpërmjet bonove të thesarit. Shtesa e borxhit të financuar nëpërmjet bonove të thesarit arriti në 7.7 miliardë lekë, ndërsa vlera e financiar nëpërmjet obligacioneve pësoi rënie me 3.55 miliardë lekë.

Këtë vit, yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm është drejt rritjes, për herë të parë që prej vitit 2009. Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normës bazë të interesit (2.25% nga 0.5% që ishte në fillim të vitit) kanë sjellë rritje të shpejtë të yield-eve të bonove dhe obligacioneve. Kjo rritje pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022. Ministria e Financave ka parashikuar për vitin e ardhshëm një fond kontigjence prej 4.9 miliardë lekësh për të mbuluar rreziqet e lidhura me rritjen e shpenzimeve të shërbimit të borxhit.

Gjatë viteve të fundit ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit ka ardhur duke u zbutur, kryesisht për shkak të rikompozimit të portofolit të borxhit të brendshëm në drejtim të titujve afatgjatë me norma interesi fikse, si edhe bazuar në normat e interesit në nivele të ulëta në tregun e brendshëm dhe të huaj. Megjithatë, këtë vit rreziku i normave të interesit është në rritje të dukshme, duke marrë parasysh inflacionin e lartë dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normës bazë nga bankat qendrore. /Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47673 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE