Çfarë ndodh nëse Rusia përdor armë bërthamore në Ukrainë?

vovalbania November 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Çfarë ndodh nëse Rusia përdor armë bërthamore në Ukrainë?

Në më shumë se 8 muaj të luftës ruse në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt, krahas pasojave të luftimeve, alarmi është ngritur edhe për kërcënimet e presidentit Putin mbi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Cili do të ishte ndikimi, nëse Rusia i shfrytëzon?

Më 29 mars, një raketë ruse e lëshuar nga deti goditi një ndërtesë qeveritare në Mykolaiv, duke vrarë të paktën 35 njerëz. Raketa e përdorur, e llojit “Kalibr”, mund të mbajë edhe mbushje bërthamore. Shumë prej raketave që Rusia përdor në Ukrainë, mund të shfrytëzohen për sulme bërthamore, përfshirë atë balistike me rreze të shkurtër veprimi “Iskander”. Në gusht, me një “Iskander” u goditur qendra hekurudhore në qytetin Çaplyne, ndërsa raketa “Kh-22” shkatërroi një qendër tregtare në Kremençuk, në qershor.

Por, ekspertët thonë se nuk e dinë fuqinë e bombave bërthamore që këto raketa mund të mbajnë. Bomba e hedhur në Hiroshima shkaktoi një shpërthim të barabartë me 15 mijë tonë lëndë shpërthyese TNT, ose me një fuqi prej 15 kilotonësh. Armët që mund të shfrytëzohen në Ukrainë mund të variojnë nga më pak se një kiloton në disa qindra kilotonë.

Sipas faqes së internetit “Nukemap”, e krijuar nga historiani Alex Wellerstein, nëse një “Kalibr” pajiset me një bombë bërthamore me kapacitet 1 kiloton, do të shkaktonte vdekjen e mbi 18 mijë personave. Rreth 700 metra nga vendi i sulmit, pothuajse të gjitha, përveç ndërtimeve më të forta prej betoni, do të shkatërroheshin. 500 metra larg vendit të shpërthimit të gjithë do të pësonin djegie të shkallës së tretë.

Shkalla fatale e rrezatimit do të shtrihej në 780 metra. Shumica e njerëzve në këtë perimetër do të vdisnin brenda një muaji. 15 për qindëshi tjetër do të ndërronte jetë më vonë nga kanceri. Kjo duke supozuar se bomba bërthamore do të shpërthente mbi tokë, duke shkaktuar dëm të madh, në një zonë më të gjerë, ndërsa një shpërthim nën sipërfaqen e tokës, shkakton pasoja më të rënda, në një hapësirë më të vogël. Shpërthimi do të shkatërronte ndërtesa banimi deri në 460 metra larg, krahasur me 700 metra të një shpërthimi mbi tokë.

Por brenda 220 metrash, gjithçka do të shkatërrohej, duke përfshirë godinat prej betoni. Një goditje mbi tokë shkakton shkallë shumë më të madhe rrezatimi, pasi përhapet nga era. Shkalla e efekteve varet nga era dhe shiu. Ky do të ishte skenari me një bombë bërthamore relativisht të vogël, prej 1 kilotoni.

Nëse raketa “Kalibr” pajiset me një bombë 10 kilotonëshe, numri i vdekjeve nga një shpërthim mbi tokë do të rritej në mbi 53 mijë njerëz. Shkalla e lartë dhe fatale e rrezatimit do të shtrihej deri në një kilometër nga shpërthimi. Një kilometër e gjysmë larg, ndërtesat do të shembeshin, ndërsa njerëzit do të pësonin djegie të shkallës së tretë. Dritaret do të thyheshin deri në 4.25 kilometra.

Ekspertët thonë se raketa “Kh-22”, që goditi qendrën tregtare në Kremençuk, mund të mbajë një bombë prej 350 kilotonësh. Nëse kjo ndodhte në qershor, do të shkaktonte vdekjen e rreth 100 mijë vetëve. Ndërtesat do të shkatërroheshin deri në 5 kilometra larg vendit të shpërthimit. Në një distancë prej 7 kilometrash, njerëzit do të pësonin djegie të shkallës së tretë. Në varësi të erërave, në rast të një shpërthimi mbi tokë, pasojat e rrezatimit mund të ndihen edhe në Rusi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47882 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE