Situata në Kosovë me Listën Serbe, reagojnë Berisha e Meta: Veprim i dirigjuar nga Beogradi, rrezikohet paqja në rajon!

vovalbania November 06, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Situata në Kosovë me Listën Serbe, reagojnë Berisha e Meta: Veprim i dirigjuar nga Beogradi, rrezikohet paqja në rajon!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reguar pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Berisha shkruan se ky vendim ka ardhur me urdhër të presidentit serb, Aleksanëdr Vuçiç, ndërsa thotë se ai është rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Një qëndrim për t’u përshëndetur. NATO paralajmëron Vuçiçin: Mos luaj me zjarrin! Do të digjesh!

Presidenti i serbo-madhisë dhe si vllau i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, urdhëroi dje serbët në Kosovë që të braktisin institucionet shtetërore të vendit, policinë, parlamentin etj.

Ky urdhër nga serbo-madhi dhe luftënxitësi Vuçiç, u dha vetëm sepse qeveria e Kosovës, në zbatim të marrëveshjeve të Brukselit, zbatimin e të cilave gushtin e kaluar qeveria e Kosovës e shtyu edhe për rreth tre muaj dhe tani filloi një zbatim gradual të ndryshimit të targave të makinave të serbëve në Kosovë, nga targa të Serbisë në targa të Republikës së Kosovës. Ndaj këtij akti të qeverisë së Kosovës, Vuçiç i’u përgjigj me kërcënime të hapura, vuri ushtrinë në gatishmëri dhe futi kriminel serb e rus, armatime të shumta në veriun e Kosovës si dhe urdhëroi serbët e Kosovës të largohen nga institucionet e vendit.

Të gjitha këto dëshmojnë se Aleksandër Vuçiç, njeriu që e ka vendin në Hagë, është një rrezik serioz, i pakorrigjueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ndaj këtyre qëndrimeve dhe luftënxitëse reagoi dje Zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke ia bërë të qartë Vuçiçit se Aleanca e Atlantikut të Veriut ishte e gatshme të ndërhynte në mbrojtje të Kosovës dhe stabilitetit të saj.

Partia Demokratike mbështet plotësisht dhe përshëndet qëndrimin e NATO-s si dhe dënon me ashpërsinë më të madhe përpjekjet e “Putinit të vogël” për të ndezur konflikt të ri në rajon. Ajo paralajmëron serbo-madhin Vuçiç se ëndrrat e tij të “Serbisë së Madhe” janë varrosur njëherë e përgjithmonë në Kosovë dhe se ndaj çdo akti agresioni të tij, shqiptarët do të reagojnë si komb i vetëm”, shkruan Berisha.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për tensionet në Kosovë. Meta thotë se mbështesin cdo vendim të Kosovës për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues të vendit.

Meta thotë se largimi i Listës Serbe nga institucionet e Kosovës është një lojë e rrezikshme që rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.

“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës.

Mbështesim çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjmë thirrje për ulje të tensioneve. Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës.

Bëjmë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Të gjithë me vetëpërmbajtje, durim dhe largpamësi duhet t’i shërbejnë forcimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës europiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit tonë”, shkruan Meta.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47673 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE