Vazhdon saga e shtyrjeve, Apeli seancë në dhjetor mbi ankimimin për statutin e PD-së!

vovalbania November 10, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vazhdon saga e shtyrjeve, Apeli seancë në dhjetor mbi ankimimin për statutin e PD-së!

Edhe sot, Apeli shtyu seancën gjyqësore për statutin e Partisë Demokratike, ankimim i bërë nga grupi i demokratëve i Enkelejd Alibeajt. Në një njoftim për mediat, Gjykata e Apelit bën të ditur se seanca nuk u zhvillua për shkak se përfaqësuesi ligjor depozitoi kërkesë për shtyrje seance.

Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës së Apelit Tirane, ju informojmë se seanca e sotme gjyqësore që ishte planifikuar të zhvillohej, kërkesa e Partisë Demokratike, nuk u zhvillua, për shkak se përfaqësuesi ligjor, ka depozituar kërkesë për shtyrje seance. Seanca e ardhshme është caktuar në datën 06.12.2022, ora 09:30.

Konkretisht, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankimimin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës që njihte Kuvendin Kombëtar të mbajtur nga Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit të PD-së. Në qershor, Gjykata e Apelit Tiranë, ndryshoi relatorin për çështjen e PD-së, lidhur me regjistrimin në gjykatë të statutit të korrikut 2021. Në njoftim thuhej:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u shqyrtua kërkesa me Nr. 214 Akti, datë 13.12.2021, me kërkuese: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi; me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, e gjykuar nga gjyqtare Blerina Muça, për të cilën kjo gjykatë ka dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022 dhe ka vendosur: “1. Pranimin e kërkesës se palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit dhe vendimeve te dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike te Shqipërisë e datës 17.07.2021. 3. Kundër këtij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.”

Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Në datën 12.04.2022, është dërguar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm dhe në bazë të shortit elektronik relator i çështjes, është caktuar gjyqtar Genti Shala.

Në bazë të vendimit nr.7, datë 01.06.2022, të Këshillit të Gjykatës së Apelit Tiranë “Për rindarjen me short të çështjeve gjyqësore”, në kushtet e caktimit rishtazi (ngritjen në detyrë) në këtë Gjykatë të katër gjyqtarëve, Elona Mihali, Irida Kacerja, Marsela Dervishi dhe Ornela Naqellari është vendosur rindarja me short midis gjyqtarëve të çështjeve civile, të cilat nuk janë shpallur për gjykim nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Edlira Petri, Elbana Lluri, Emona Muci, Genti Shala, Ilir Toska dhe Valdete Hoxha, të ngarkuar më herët si relatorë, deri në ngarkesën mesatare të ponderuar të çështjeve civile.

Në total janë 12.863 çështje civile të regjistruara nga viti 2016-22.04.2022, të cilat i’u nënshtruan procedurës së rishortimit. Në bazë të shortit elektronik dosja e mësipërme gjyqësore i ka rënë për gjykim gjyqtares relatore Irida Kacerja. Më herët Gjykata e Apelit Tiranë njoftoi vendimet e Këshillit nr.7 dhe nr.8.

 

 

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47746 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE