Ferma e kanabisit në Kutalli, mbeten në burg të 11 të arrestuarit!

vovalbania November 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ferma e kanabisit në Kutalli, mbeten në burg të 11 të arrestuarit!

Mbeten në qeli 11 të arrestuarit e tre ditëve më parë në fshatin Kutalli ku u zbulua një fermë në të cilën përpunohej bimë narkotike e llojit kanabis. Gjykata e Beratit, sot vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për nëntë burra e dy gra, nënë e bijë, që rekrutonin punëtore. Këto të fundit po hetohen në gjendje  të lirë.

Në pranga ranë Jurgen Ujkaj, Bashkim e Edison Mema, Sidrit Bisha, Endrit e Blerim Xheka, Mirvaldo Disha, Samuel Lushaj, si dhe Drita Mema e vajza e saj Izmira. Në datën 10 nëntor, policia ndërhyri në fermën ku kanabisi thahej e pastrohej nga 95 të punësuara që ishin nga Fushë-Kruja e Lezha dhe u shprehën se u mashtruan se nëse shkonin në Kutalli do të mblidhnin ullinj. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe rreth 875 kg kanabis. Lënda narkotike vinte me furgon e punëtoret duhej ta pastronin e po ashtu paketonin, para se furgoni ta merrte përsëri ngarkesën.

Serra në të cilën u ndërtua kapanoni ku përpunohej lënda narkotike rezulton në pronësi të shtetasit Hamdi Dyli. Ambientet ishin ndarë në katër pjesë. Çdo ditë, 95 vajzat e gratë e punësuara pastronin lëndën narkotike të tharë. Punëtoret e moshave të ndryshme, nga 16 deri 65 vjeçe, thanë se nuk janë punësuar në të njëjtën kohë. Pjesa më e madhe punonin prej 20 ditësh. Pagesa ditore ishte në shumën 5 mijë lekë. Policia u vu në lëvizje pas denoncimit të familjarëve të njërës prej tyre, e cila ankohej se u sëmur nga ajri në mjediset e punës. Pas pikasjes së vendit, një person u infiltrua si punëtor.

Për aktivitetin kriminal në serrën me sipërfaqe 8 dynym, policia kishte informacion prej një muaji, ndërsa nuk ka të dhëna mbi përfshirje të efektivëve nga radhët e uniformave blu në këtë aktivitet. Ndërkohë, ende është në kërkim një shtetas i dyshuar si kultivues i bimëve narkotike, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE