Më mirë se ç’pritej, demokratët ruajnë kontrollin e Senatit Amerikan/Vendimtare fitorja në Nevada!

vovalbania November 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Më mirë se ç’pritej, demokratët ruajnë kontrollin e Senatit Amerikan/Vendimtare fitorja në Nevada!

Demokratët do të mbajnë kontrollin e Senatit Amerikan pas fitores në shtetin e Nevadës ku Catherine Cortez Mastro mundi rivalin republikan, Adam Laxalt, i cili ishte mbështetur nga ish-presidenti Donald Trump. Në 20 vitet e fundit, këto janë rezultatet më të mira të Partisë Demokrate në zgjedhjet e mesmandatit, të zhvilluara të martën e 8 nëntorit.

Cortez Mastro ishte në garë të ngushtë me Adam Laxalt për vendin në Nevada dhe arriti t’i siguronte partisë së saj një post të rëndësishëm në Senat. Ky rezultat është një goditje e madhe për republikanët, që po prisnin të korrnin fitore ndaj partisë së Joe Biden-it. Presidenti Biden u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin, duke shtuar se është koha për republikanët të vendosin “se kush janë”.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se “rezultati tregoi se populli amerikan ka refuzuar” atë që e quajti “retorikë e dhunshme e Partisë Republikane”. Ai shtoi:

Shteti tregoi se ne besojmë në demokracinë tonë dhe se rrënjët janë të forta e do t’ia dalim për aq kohë sa luftojmë për të!

Vetëm në Xhorxhia do të zhvillohet raundi i balotazhit në dhjetor. Në rast se të dyja partitë dalin me numër të barabartë vendesh në Senat, atëherë është zv.presidentja amerikane, Kamala Harris, e cila merr vendimin me votën e saj. Ndërkohë, republikanët mund të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, ndërsa ende po numërohen votat. Në rast se ata fitojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, mund të pengojnë axhendën e shefit të Shtëpisë së Bardhë, i cili nga Kamboxhia ku merr pjesë në një samit deklaroi:

Nuk jam i befasuar nga rezultati. Jam jashtëzakonisht i kënaqur! Mendoj se rezultati zgjedhor reflekton cilësinë e kandidatëve tanë.

Me republikanët që vazhdojnë të jenë favoritë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët e Biden-it kanë dalë më mirë në zgjedhje nga sa ishin parashikimet. Nga ana tjetër, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili në mënyrë të pabazuar pretendoi se ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, doli me pretendime të ngjashme edhe për zgjedhjet e mesmandatit. Tani, pritet që Trump të njoftojë se do të garojë sërish për president në vitin 2024.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48502 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE