Dorëheqjet e serbëve, presidentja Osmani takime për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës!

vovalbania November 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dorëheqjet e serbëve, presidentja Osmani takime për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës!

Zgjedhjet e parakohshme në veri, për sot, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Votimet pasojnë largimin e serbëve nga institucionet, në shenjë proteste për vendimin e Prishtinës zyrtare lidhur me riregjistrimin e targave. Për shkak të dorëheqjeve, në veriun e Kosovës me shumicë serbe, komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit kanë mbetur pa kryetarë.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se pas konsultimit me partitë politike, Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës.

Sipas ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë nga shpërbërja e kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Dorëheqjet e serbëve ishin masive, nga policia te gjykatat. Po ashtu, dorëzuan mandatet 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës e ministri për Kthim dhe Komunitete në qeveri, Goran Rakiç. Të gjithë vinin nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Më 1 nëntor, qeveria e kryeministrit Albin Kurti nisi të zbatojë planin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, edhe pse më herët nga komuniteti ndërkombëtar iu kërkua në mënyrë të përsëritur që ta shtynte këtë plan.

Kosova kërkon që targat të zëvendësohen me RKS apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tre faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i tyre me 150 euro gjobë dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke kërkuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48165 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE